Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Theri me thikë dy adoleshente, burg të përjetshëm për agresorin në Gjermani

Një gjykatë në Gjermaninë jugore ka dënuar me burgim të përjetshëm një azilkërkues nga Eritrea, pasi theri me thikë dy vajza adoleshente, njërën prej tyre për vdekje.

27-vjeçari, i identifikuar vetëm si Okba B, sulmoi vajzat në qytetin e Illerkirchberg në dhjetor. 14-vjeçarja, e quajtur Ece, vdiq nga 23 plagë me thikë dhe shoqja e saj 13 vjeç u plagos rëndë.

Prokurorët thanë se ai i sulmoi ato pasi e panë me thikë, të cilën ai synonte ta përdorte në një zyrë lokale imigracioni. Ata thanë se ai ishte i zemëruar për dështimin e zyrtarëve për t’i dhënë atij një pasaportë, e cila i nevojitej për t’u martuar në Etiopi, shkruan BBC.

Gjykata krimin e tij e konsideroi si “veçanërisht të rëndë”, që do të thotë se ka shumë pak gjasa që ai të lirohet para kohe pas vuajtjes së 15 viteve në burg.

Eritreasi kishte mbërritur në Gjermani në vitin 2015, gjatë një fluksi jashtëzakonisht të madh azilkërkuesish, shumë prej tyre refugjatë që ikin nga lufta dhe persekutimi.Gjykata në Ulm konstatoi se para nëntorit të kaluar ai ishte integruar normalisht në shoqërinë gjermane, me një punë, njohuri të gjermanishtes dhe një personalitet të qetë.

Okba B i tha gjykatës se ishte penduar për veprimin e tij dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave. Ky rast shkaktoi shumë zemërim në Gjermani, por familjet e vajzave thanë se nuk dëshironin që ai të shfrytëzohej politikisht nga grupet kundër imigracionit.