Aktuale

‘T’i qepemi bregdetit siç u katandis Tirana’? Shqyrtohen në KKT një tufë me kulla në bregdet, nga Velipoja në Qerret dhe nga Golemi në Sarandë

Dikur, kur vendin e drejtonte Enver Hoxha, dominonte slogani “T’i qepemi kodrave e maleve dhe ti bëjmë ato pjellore si fushat”. Sot ky sllogan po zëvendësohet me tjetrin, “ti qepemi dhe bregdetit me kulla ashtu siç shkatërruam Tiranën”.

Sepse kullat po pushtojnë gjithnjë e më shumë vijën bregdetare shqiptare, teksa katër mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë shqyrtuar qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, ku përfshihen projekte turistike dhe ezidenciale.

Në mbledhjen më të fundit bien në sy veçanërisht projektet e planifikuara në bregdet, ku përveç fshatrave turistikë – që në shumë raste ngjajnë më tepër me projekte rezidenciale – janë paraqitur edhe kërkesa për ndërtesa shumëkatëshe. Leje ndërtimi janë kërkuar për zona si Palasa, Himara, Saranda dhe Shëngjini, duke treguar se ndërtesat e larta po bëhen tashmë pjesë normale e zhvillimit bregdetar.

Në Shëngjin, subjektet kanë paraqitur projekte për ndërtime 17-katëshe dhe madje deri në 27 kate. Po ashtu janë planifikuar edhe dy projekte të tjera të mëdha, një kompleks kullash me 15, 19 dhe 20 kate mbi tokë, plus 2 kate parkimi nëntokë.

Po ashtu spikat dhe një tjetër strukturë me funksion banimi, hotelerie dhe shërbimesh, me deri 14, 15 dhe 20 kate mbi tokë, plus 3 kate pjesërisht nëntokë, në zonën e Malit të Shëngjinit.

Sakaq shihet projekti dhe për një strukturë polifunksionale për hoteleri dhe banim me 18 kate mbi tokë, 1 kat nëntokë dhe pishina në Velipojë.

Në bashkinë Kavajë po tentohet të ndërtohet një hotel me 36 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë në Qerret.

Ndërkohë, në zonën e Golemit parashikohen disa ndërtime të mëdha, përfshirë projekte me 24 kate mbi tokë, si dhe objekte aparthotel dhe shërbimi me 8, 11 dhe 16 kate mbi tokë, së bashku me 3 kate nëntokë.

Një situatë e ngjashme po shihet edhe në Vlorë me kulla që rreken ti ndërtojnë me dhjetëra kate të larta. Aty është planifikuar një objekt rezidencial dhe hotelerie me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë.

Edhe Saranda është në listën e projekteve ambicioze, ku është kërkuar leje për mjë hotel me 5 yje me 20 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, në rrugën “Idriz Alidhima”.

Në mbledhjen e datës 17 prill, në listën e projekteve spikasën disa leje për ndërtime në Tiranë, kryesisht për banim, me ndërtesa që shkojnë deri në 45 kate.

Të Ngjashme