Deputeti socialist dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, është paraqitur pasditen e sotme (20 maj) në institucionin e Prokurorisë së Posaçme.
Me një çantë në dorë ai është shfaqur para godinës duke komunikuar me punonjësit në hyrje që e kanë orientuar më tej për veprimet e rastit dhe ka hyrë brenda ambienteve të SPAK.
Gjatë hyrjes për në institucion, ligjvënësi në një moment ngatërron edhe hyrjen:
“Kjo… te dera, se mos na kanë ngatërruar…”, shprehet ai teksa gazetarët insistojnë t’i shkëpusin ndonjë deklaratë për shkaqet e paraqitjes në SPAK.
Kjo nuk është hera e parë që Peçi paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.
Nuk ka ende informacione për arsyen e thirrjes së deputetit në organin e lartë të akuzës, por kohët e fundit ai ka qenë në qendër të akuzave nga opozita për shpërdorim detyre.
