Lajme

​Tragjedia në Malishevë, po hetohen shkaqet, stafi mjekësor dyshon se babai me dy fëmijë vdiqën nga asfiksimi pas zjarrit

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës se gazit në banesën e tyre.

Viktima janë babai me dy fëmijët e tij, një vajzë dhe një djalë.

Nënkryetari i komunës së Malishevës , Vesel Krasniqi, tha se është bërë e pamundura për t’i shpëtuar, porse nuk kanë arritur t’i shpëtojnë jetët e tyre.

Krasniqi: Është bërë e pamundura për t’i shpëtuar, porse nuk kanë arritur t’i shpëtojnë jetët e tyre

“Kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajza dhe djali. Sapo kemi marrë informacionet, organet tona prej policisë, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor, i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, paksa ka qenë ndoshta edhe vonë, janë gjetur pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet. Tash policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti si ka rrjedhur. Ajo çka është me rëndësi që të gjithë organet kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën e duhur, por fatkeqësisht ka qenë e pamundur që t’i shpëtojmë tri jetë”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk dihet si pasojë e çkafit ka rrjedh kjo, porse nga stafi mjekësor thuhet se ishte nga asfiksimi.

Krasniqi: Nga stafi mjekësor thuhet se humbën jetën nga asfiksimi

“Hetuesia është duke e kryer punën e vet. Nuk është në kompetencat tona dhe nuk e dimë si pasojë e çfarë ka rrjedhur, sepse në moment veç i kanë gjetur, por ajo që dihet nga stafi mjekësor thuhet që është nga asfiksimi, do të thotë nga tymi i cili ka ndodhur aty çka ka mundur me u djeg”, tha ai.

Banesat, ku ndodhi zjarri, janë ndërtuar nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Krasniqi: Me energji elektrike probleme përveç reduktimeve nuk ka pasur

“Ky objekt është ndërtuar nga komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, do të thotë ka qenë bashkëfinancim edhe nga ministria dhe sigurisht që vazhdimisht shërbimet publike kanë qenë në vëzhgim, në inspektim çdoherë, sepse këtu faktikisht edhe ndërrohen banorët. Do të thotë banesat nuk i kanë të përhershme, këto i kanë sipas nevojës, momentin që e bëjnë një zgjidhje lirohet banesa vjen dikush tjetër. Edhe në vazhdimësi kontrollohen banesat. Kjo me energji elektrike probleme përveç reduktimeve nuk ka pasur asnjë lajmërim asnjëherë që ka pasur ndonjë problem tjetër, asnjë rast tjetër, përveç reduktimeve që po ndodhin çdokund tjetër”, tha ai.

Të Ngjashme