Një aksident i rëndë rrugor ka marrë jetën e dy të rinjve shqiptarë në Greqi, në një ngjarje tragjike të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nea Peramos të Kavallës.
Viktimat janë identifikuar si Arditi, 34 vjeç, dhe Marigleni, 36 vjeç, të cilët, sipas informacioneve, ishin miq të ngushtë.
Aksidenti ndodhi në rrugën që lidh Nea Peramos me zonën e Ammolofoit, ku një motor u përplas me një monopatinë elektrike. Përplasja ishte tepër e fortë.
34-vjeçari Arditi, i cili drejtonte motorin, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, Marigleni, që udhëtonte me monopatinë elektrike, u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës.
Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, 36-vjeçari ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit. Kështu, bilanci i aksidentit tragjik shkoi në dy viktima.
Lajmi për vdekjen e dy miqve ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, të afërmit dhe komuniteti shqiptar në Greqi. Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.

