Lajme

Trazirat në Shqipëri ngjallin frikën e luftës civile, çfarë roli duhet të ketë Kosova?

Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë vijuar edhe të premten në Shqipëri, ku studentët dhe nxënësit e gjimnazeve janë rikthyer në rrugë për ditën e katërt duke kërkuar ndryshime politike dhe largimin e kreut të qeverisë.

Protesta, e cila ka marrë përmasa më të mëdha gjatë ditëve të fundit, është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Në qendër të Tiranës, protestuesit kanë drejtuar veprimet e tyre ndaj disa institucioneve kryesore shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, Kuvendin dhe Bashkinë e Tiranës.

Gjatë protestave janë raportuar edhe dëme në pronën publike dhe private. Situata është tensionuar veçanërisht në zonën përreth Kryeministrisë, ku një kioskë është përfshirë nga flakët, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Protestuesit kanë tentuar gjithashtu t’i afrohen selisë së Partisë Socialiste, por ndërhyrja e forcave të policisë ka penguar vazhdimin e marshimit në atë drejtim.

Pavarësisht presionit në rritje nga protestuesit, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Sipas qëndrimit të tij, ndryshimi i qeverisë dhe largimi nga pushteti duhet të realizohen përmes zgjedhjeve demokratike.

Ky qëndrim ka thelluar përplasjen mes qeverisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë politikat qeveritare dhe kërkojnë largimin e kryeministrit përpara përfundimit të mandatit.

Pjesëmarrja e studentëve dhe gjimnazistëve i ka dhënë protestës një dimension të ri, duke zgjeruar bazën e demonstruesve dhe duke shtuar presionin ndaj institucioneve. Krahas Tiranës, protesta dhe tubime solidarizuese janë raportuar edhe në qytete të tjera, përfshirë Durrësin, Shkodrën dhe Korçën.

Zhvillimet në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe të Kosovës, duke sjellë pyetje nëse duhet përfshirja e saj.

Si duhet të veprojë Kosova?

Image
Publicisti Fadil Lepaja

Publicisti Fadil Lepaja, konsideron se Kosova duhet të shoh punën e vet, të përcjellë dhe të përzihet vetëm nëse Shqipëria rrezikohet nga jashtë.

Sipas tij, qeveria e Kosovës duhet ta lë qeverinë shqiptare të bëjë kompromise me protestuesit.

“Konsideroj se një ndërhyrje nga Kosova nuk do të pritej mirë nga qytetarët e Shqipërisë dhe kjo do të qonte në luftë civile atje. Kosova duhet të shoh punën e vet , dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar duhet të përcjell dhe të përzihet vetëm nëse Shqipëria rrezikohet nga jashtë. Diplomacia kosovare duhet të intensifikojë marrëdhëniet me fqinjët sidomos Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi, dhe me faktorin shqiptar atje, në ruajtjen e çfarëdo përpjekje që ky zjarr të përhapet në rajon. Protestat në Shqipëri dhe Serbi nuk është e qartë se çfarë synojnë dhe kush në fakt qëndron prapa tyre, kështu që duhet lënë qeverinë shqiptare të bëjë ashtu sikurse qeveria e Kosovës, kompromiset e veta me protestuesit dhe të nxjerrin energjinë e keqe jashtë”, shprehet Lepaja për “Bota sot”.

Qeveria e Shqipërisë mund të gjejë kompromise me qytetarët, thotë Lepaja, por për këtë duhet të hapet një tryezë publike ku do të diskutoheshin çështje kryesore.

“Mendoj se Qeveria shqiptare mundet të gjejë kompromis me qytetarët nëse i stopon projektet problematike dhe punon në artikulimin e një strukture dhe politike të protestuesve. Mendoj se duhet të hapet një tryezë, publike ku do të diskutoheshin çështjet kryesore që ngrisin studentët dhe zë përgatiten, përkatësisht të paralajmërohen zgjedhjet e reja në vitin 2027.Mendoj se Shqipëria si anëtare e NATO- s në këtë fazë nuk guxon të luaj me kartën e bashkimit kombëtar por duhet të jetë pjesë konstruktive e aleancës dhe të rikthejë bashkëpunimin institucional me Kosovën. Edhe Shqipëria sikurse Serbia duhet të kujdesen të mos e dëmtojnë procesin evropian dhe të mos luajnë me kufijtë në këtë zonë me potencial të lartë shpërthimi të sërishëm të konflikteve”, thekson publicisti.

Kërkesat e protestuesve, sipas Lepajës, janë krejtësisht legjitime dhe Rama duhet të kujdeset të mos projektojë ide për ta bërë Shqipërinë një “parajsë” pa shqiptarë.

Sipas tij, idetë dhe projektet duhet të diskutohen me rininë dhe vendimi të merret bashkë me ta.

“Edhe Edi Rama duhet të përmbahet nga përdorimi i panevojshëm i forcës dhe duhet të jetë i durueshëm me protestuesit paqësor. Kërkesat e protestuesve janë krejtësisht legjitime dhe Edi Rama duhet të kujdeset të mos projektojë ide për ta bërë Shqipërinë një “parajsë” pa shqiptarë

Duhet ndjekur ritmi i popullit. Nëse ikë popullsia nga vendi kujt i hyn në punë investimet miliardshe. Pra, mendoj se këto ide dhe projekte jo vetëm se duhet t’i diskutojë me rininë por edhe të marr vendim bashkë me ta, pasi në fund të fundit ata do e trashëgojnë”, përfundon Lepaja për “Bota sot”.

“Protesta në Shqipëri ka kaluar kufijtë e vandalizmit, Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e skenarëve destabilizues”

Image
Analisti Ilir Vata

Ndërsa, analisti nga Shqipëria Ilir Vata, thotë se protestat kanë kaluar nga pakënaqësitë politike në një fazë më të rëndë, të karakterizuar nga dhuna dhe vandalizmi.

Sipas tij, protesta ka pasur arsye të rëndësishme që lidhen me funksionimin e shtetit, mungesën e meritokracisë, problemet me sistemin zgjedhor dhe vështirësitë ekonomike, por përshkallëzimi i dhunës rrezikon të cenojë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.

Vata ka theksuar se institucionet shqiptare duhet të tregojnë përgjegjësi dhe kapacitet për ta menaxhuar situatën, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Ai ka vlerësuar se dhuna e ditëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese, duke përfshirë sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve.

Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, analisti ka kundërshtuar pretendimet se kryeministri Albin Kurti apo qytetarët e Kosovës mund të kenë rol në destabilizimin e situatës në Shqipëri. Përkundrazi, ai ka argumentuar se stabiliteti i dy vendeve është i ndërlidhur dhe se destabilizimi i njërës do të kishte pasoja edhe për tjetrën.

“Nuk mendoj se Kosova ka gisht në këtë gjë. Nuk mendoj se ne mund të jemi fajtorë tani, as njerëzit, as shtetet. E kam ndier edhe nëpërmjet politikanëve të tjerë që kërkojnë t’ua hedhin fajin të tjerëve, t’ua hedhin jo izraelitëve, jo rusëve, jo kinezëve, jo Kosovës, jo Albin Kurtit. Kjo është një trazirë e vetëkuptueshme. Politika e vjetër, punë të reja. Të rinjtë janë ngritur. Sigurisht, ata mund të përdoren, por nuk mendoj se Kosova është pjesë e këtij zinxhiri për ta destabilizuar Shqipërinë, sepse destabilizimi i Shqipërisë është edhe destabilizimi i Kosovës”, ka deklaruar Vata për “Bota sot”.

Duke analizuar zhvillimet në Tiranë, Vata ka bërë dallimin ndërmjet pakënaqësive që kanë nxitur protestat dhe mënyrës se si ato janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit. Sipas tij, protestat kanë kaluar në disa faza, duke nisur me pakënaqësitë e grupeve të caktuara, për t’u ndërthurur më pas me politikën dhe për të marrë një dimension më të gjerë me përfshirjen e studentëve.

Ai ka vlerësuar se mungesa e një drejtimi të qartë të protestës dhe mosbesimi ndaj aktorëve politikë kanë krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme mbi atë se kush qëndron pas lëvizjes dhe cilat janë synimet e saj.

Vata ka thënë se, në ditët e para të protestave, ka dënuar dhunën policore ndaj të rinjve, duke e konsideruar atë provokuese. Megjithatë, sipas tij, situata ka ndryshuar ndjeshëm me përshkallëzimin e dhunës, e cila tashmë, në vlerësimin e tij, ka tejkaluar kufijtë e një proteste të zakonshme.

“Në ditët e para, unë, jo vetëm si gazetar investigativ, por edhe si kryetar i Partisë së Demokratëve, e dënoj dhunën e policisë ndaj të rinjve, sepse ishte provokim. Dhe ditën e dytë, pra dje, startoi një dhunë e gjerë, një dhunë masive, një dhunë përtej kufijve të dhunës. As në vitin ’98, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, kur Partia Socialiste ishte në pushtet dhe Partia Demokratike rebelohej, nuk kishte një dhunë me përmasa të tilla, sa studentët, qytetarët ose protestuesit, demonstruesit e ndryshëm, të sulmonin jo vetëm institucionet kryesore, por edhe bizneset”, është shprehur ai.

Sipas analistit, përshkallëzimi i situatës ka krijuar një gjendje pasigurie, ndërsa institucionet shtetërore duhet të dëshmojnë se janë në gjendje ta ushtrojnë autoritetin e tyre pa shkelur të drejtat themelore të qytetarëve.

“Unë do të sugjeroja që shteti duhet të bëhet shtet, të tregojë kapacitetet e veta, të respektojë të drejtat e qytetarëve dhe të ushtrojë pushtetin duke garantuar jetën e qytetarëve në tërësi, të institucioneve dhe të protestuesve”, ka deklaruar Vata.

Ai ka ngritur edhe mundësinë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duke argumentuar se situata duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet përgjegjëse.

“Protesta në Shqipëri ka kaluar përtej vandalizmit, ka kaluar në rrugaçëri, saqë po ngjall frikë në Tiranë dhe qytetarët duhet të mobilizohen. Mendoj se shteti shqiptar duhet ta marrë seriozisht mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme, që mund të përdorë edhe ushtrinë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Vata ka kundërshtuar interpretimet që përpiqen ta lidhin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me protestat apo me përpjekjet për destabilizimin e Shqipërisë. Ai ka rikujtuar se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë paqartësish politike, të shoqëruar me zgjedhje të njëpasnjëshme, ndërsa së fundmi ka arritur ta zgjidhë çështjen e presidentit.

Sipas tij, dallimet politike dhe qëndrimet individuale ndaj Kurtit nuk duhet të shndërrohen në akuza ndaj Kosovës apo në përpjekje për ta paraqitur atë si pjesë të një skenari kundër Shqipërisë.

“Albin Kurti është kryeministri i qeverisë së shqiptarëve në Kosovë dhe, pas një kaosi të vjetër rreth dyvjeçar, me zgjedhje pas zgjedhjesh, Albin Kurti arriti dhe ia doli. Zgjodhi presidentin, një president të mirëpritur, pozitiv, dhe konflikti me ndërkombëtarët, pra Kosova ia doli. Nuk mendoj se Kosova, siç është Albin Kurti personalisht, pavarësisht pikëpamjeve të mia apo të të tjerëve që i gjykojnë si të marra, të jetë kundër idealit, kundër Shqipërisë së vet”, ka deklaruar Vata për Bota sot.

Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në veprime që do të dëmtonin institucionet, bizneset apo sigurinë në Shqipëri, pasi një sjellje e tillë do të binte ndesh me interesin e përbashkët kombëtar.

“Absolutisht, kosovarët nuk kanë pse të bëhen Prometeu për ta djegur kryeqytetin e kombit, Tiranën. Kosovarët duhet të jenë mbështetësit e të drejtave të shqiptarëve. Në këtë aspekt, hajde e prit. Kurse ata nuk mund të jenë pjesë e një skenari që i bën dëm Shqipërisë, në zemër të kombit, që është Tirana. Dhe nuk mendoj kurrsesi që një kosovar të dalë e të djegë një bankë në Shqipëri apo një biznes”, është shprehur ai.

Vata ka paralajmëruar se zhvillimet në Shqipëri duhet të ndiqen me kujdes edhe nga institucionet e Kosovës, pasi, sipas tij, pasojat e një destabilizimi të mundshëm nuk do të kufizoheshin vetëm brenda territorit shqiptar.

“Edhe Kosova, në këtë aspekt, duhet të jetë e vëmendshme, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Kosovës, sepse mendoj se kjo gjë mund të jetë më e thellë. Mund të jetë një destabilizim në zemër të kombit tonë, për të krijuar opsione të tjera që mund t’i kenë dashakeqësit tanë, serbët dhe fqinjët tanë”, ka thënë analisti.

Megjithatë, ai nuk e ka paraqitur Kosovën si pjesë të këtij rreziku, por ka insistuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe për avancimin e interesave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Duke u ndalur te shkaqet që kanë nxitur pakënaqësitë në Shqipëri, Vata ka vlerësuar se protesta ka qenë e nevojshme, pasi, sipas tij, një sërë problemesh politike, institucionale dhe ekonomike kanë mbetur pa zgjidhje.

Ai ka përmendur mungesën e meritokracisë, çështjet që lidhen me kodin zgjedhor, marrëveshjet territoriale, reformën zgjedhore dhe problemet me pagat e çmimet. Sipas tij, këto janë çështje që kërkojnë trajtim serioz dhe përfshirjen e aktorëve politikë, përfshirë opozitën.

“Se si do të ndikojë kjo protestë në arenën ndërkombëtare, te shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, përfshirë të gjithë të rinjtë shqiptarë edhe në diasporë, kjo protestë ka qenë e nevojshme. Ka qenë shumë e nevojshme, sepse shteti, në një farë mënyre, kishte marrë kërcënci, siç themi ne. Kishte shumë gjëra që nuk funksiononin. Meritokracia ishte vrarë, kodi zgjedhor i parazgjedhur, ligji i koalicionit parazgjedhor, marrëveshjet territoriale u bënë pa bashkëpunimin e palëve”, ka deklaruar ai.

Analisti ka shprehur shqetësimin se një reformë zgjedhore pa përfshirjen e opozitës mund të ndikojë negativisht në funksionimin e demokracisë dhe në rolin e partive politike. Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se pakënaqësitë politike nuk mund të ndahen nga vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.

Sipas tij, Shqipëria ka probleme me tregun, çmimet dhe pagat, ndërsa qytetarët presin që institucionet të ofrojnë zgjidhje konkrete. Për këtë arsye, ai e sheh protestën si shprehje të një pakënaqësie më të gjerë, e cila nuk duhet të reduktohet vetëm në përplasjen mes pozitës dhe opozitës.

Vata ka paralajmëruar gjithashtu se tensionet e brendshme mund të ndikojnë në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë dhe për rajonin, në një kohë kur Ballkani vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj rivaliteteve dhe ndikimeve të jashtme.

Në përfundim të prononcimit, Vata ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të trajtohen si dy shtete me interesa të ndërlidhura kombëtare, politike dhe strategjike. Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet tyre është i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në të dyja vendet, por edhe për shqiptarët në diasporë dhe për stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit.

Ai ka rikujtuar të kaluarën e vështirë të të dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria ka dalë nga diktatura, ndërsa Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë të shtypjes dhe të luftës. Për këtë arsye, sipas tij, rajoni nuk ka nevojë për konflikte të reja, por për institucione demokratike, përgjegjësi politike dhe bashkëpunim me aleatët perëndimorë.

“Ajo që duhet të them është se pse Kosova dhe Shqipëria duhet të shihen si dy aktorë, si një qenie kombëtare që prodhon gjendjen e vet, ekzistencën kombëtare, ekzistencën e vlerave të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe garancinë e stabilitetit në rajon. Sepse rajoni i Ballkanit shihet gjithmonë si një qendër zjarri. Përplasjet e botës perëndimore dhe të ndikimeve të mëdha në botë mund ta bëjnë atë një vatër zjarri, siç u bë Ukraina, duke trazuar gjithë Evropën dhe duke e futur botën në një konflikt të papërfunduar. Ballkani nuk ka më nevojë për konflikte”, ka theksuar Vata.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për tejkalimin e situatës bie mbi institucionet dhe partitë politike shqiptare, të cilat duhet të gjejnë një rrugëdalje politike, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Sipas tij, përballja me problemet e së kaluarës kërkon vendime politike dhe institucionale, ndërsa dhuna nuk duhet të shndërrohet në mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Pra, politika në Shqipëri nuk ka armiq. Armiku i vetëm i politikës shqiptare është politika e vjetër. Dhe ajo po përballet në terren, po përballet fuqishëm, ndërsa institucionet shtetërore duhet të kenë kurajë për ta përballuar këtë situatë me kujdes, pa cenuar të drejtën e protestuesve. Duhet të kenë kurajë, në fund të fundit, edhe të dorëhiqen ose të gjejnë një mekanizëm politik. Të mblidhen partitë politike dhe të gjejnë mekanizmin: si ta shpëtojmë Shqipërinë nga e shkuara, nga e keqja”, përmbylli Ilir Vata në prononcimin për Bota sot.

Protestat kundër qeverisë shqiptare nuk janë një zhvillim i izoluar i këtyre katër ditëve. Demonstratat kanë vijuar prej më shumë se katër muajsh, me pjesëmarrje të qytetarëve që kundërshtojnë qeverisjen dhe kërkojnë përgjegjësi politike.

Përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve dhe përhapja e protestave jashtë Tiranës e kanë shtuar presionin mbi qeverinë Rama.

Të Ngjashme