Aktuale

Tre shqiptarë humbën jetën nga shpërthimi i godinës në Greqi, zbardhen detaje të reja

Detaje të reja janë bërë të njohura nga ngjarja tragjike në Plaka të Greqisë, ku për shkak të një shpërthimi në një ndërtesë, humbën jetën 6 persona, mes të cilëve edhe 3 shtetas shqiptar.

Sipas hetimeve nga autoritetet greke, dyshohet se rrjedhja e gazit natyror, që shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës dhe shembjen e ndërtesës në Plaka, ka nisur nga apartamenti në katin e dytë, ku banonte një çift i moshuar, i cili humbi jetën.

Mediat greke raportojnë se kontrollet në rrjetin qendror të furnizimit me gaz nuk kanë evidentuar asnjë rrjedhje, por ashtu, edhe pas verifikimeve në trotuar, rrjeti rezultoi i izoluar dhe pa probleme.

Për këtë arsye, hetuesit vlerësojnë se rrjedhja ka ndodhur brenda apartamentit, i vetmi në ndërtesë që ishte i lidhur me rrjetin e gazit. Në banesë ishin të lidhura tre pajisje, një sobë, një oxhak dhe një ngrohës uji. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se cila prej tyre ishte burimi i rrjedhjes.

Ndërkohë, familjarët e viktimave mbërritën të dielën në Greqi me kërkesë të autoriteteve. Ata do të japin material gjenetik për analizat e ADN-së, në kuadër të procesit të identifikimit të trupave.

Kujtojmë se nga shpërthimi dhe shembja e ndërtesës në rrugën “Lysikratous” humbën jetën shqiptarët Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, Eris Cani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha, si dhe çifti i të moshuarve, Athina Paparesku dhe Edmond Hings.

Të Ngjashme