Valon Murtezaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për zhvillimet dhe përçarjet e brendshme në këtë parti, duke u bërë thirrje grupeve aktuale që të vendosin interesin e përbashkët mbi ambiciet personale.
Në një shkrim të titulluar “Kthimi i arsyes”, Murtezaj ka theksuar se konfliktet e brendshme dhe interesat klanore po rrezikojnë të ardhmen e LDK-së.
Ai ka kërkuar më shumë dialog, maturi dhe përgjegjësi, duke rikujtuar se partia duhet të ruajë vlerat demokratike mbi të cilat u themelua nga presidenti historik Ibrahim Rugova.
Murtezaj ka theksuar se LDK-së i nevojitet unitet dhe një organizim i lirë e demokratik, ndërsa ka shprehur angazhimin e tij për një parti moderne, të bazuar në integritet, drejtësi, meritokraci dhe luftë kundër korrupsionit.
Shkrimi i plotë:
KTHIMI I ARSYES
Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Bashkëqytetarë dhe bashkëpatriotë,
Zonja dhe Zotërinj,
Presidenti Ibrahim Rugova dhe themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kanë krijuar LDK-në për të qenë forcë politike demokratike që del në ballë për të mirën e lirisë, të demokracisë, dhe të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Me këtë rast, dua të sjell në vëmendje, mundësisht edhe në mendje, mësimin madhështor njerëzor: është arsyeja ajo që duhet të mbizotërojë. Arsyeja njerëzore është mbi pasionin egoist, urtësia duhet të qëndrojë mbi ambicien inatçore shkatërrimtare, dhe e mira e përbashkët më lart se çdo interes vetjak.
Një shoqëri, institucion apo entitet kolektiv nuk mund të rritet e të zhvillohet në rrethana kur ata dhe ato që janë të ngarkuar të punojnë për avancim, bëhen autoritarë dhe robër të interesave, apo ambicieve apo perceptimeve të tyre të ngushta për pushtetin personal, në dëm të të tjerëve dhe të përgjithshmes.
Dy fjalë reflektimi dhe kujdesi drejtuar grupeve aktuale (që janë tri) në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Keni kujdes kah po e çoni LDK-në!
Asnjë interes i ngushtë, sado bukur apo pseudofuqishëm të artikulohet, apo sado mjeshtërisht të arsyetohet e të mbrohet, nuk duhet të lejohet kurrë të mbizotërojë mbi interesat më të larta, vlerat universale dhe të mirën e përbashkët supreme të subjektit të cilit të gjithë i përkasim.
Sepse, më lejoni t’ju rikujtoj një gjë që e dimë të gjithë: kur arsyeja njerëzore i nënshtrohet interesit vetjak, atëherë gjëja e parë që ndodh është se gjykimi shtrembërohet. Përvoja e re dhe e vjetër na mëson, ose do të duhej të na mësonte, se sa herë ambiciet egoiste kanë lënë në hije apo kanë shpërfillur vlerat kolektive, dëmtimi është bërë. E mira e përbashkët ka filluar të dëmtohet dhe, nëse vazhdohet kështu, kjo e mirë e përbashkët gradualisht do të zhduket. Kjo do të ishte e pafalshme.
Interesi më i lartë i LDK-së është organizimi si tërësi e lirë dhe demokratike. Ky është parimi më i lartë, që tejkalon preferencat personale, sukseset e përkohshme dhe secilën ambicie vetjake. Interesi më i lartë i LDK-së duhet të jetë vlera që përfaqëson themelin e përbashkët moral, intelektual dhe institucional, mbi të cilin varen dinjiteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja e LDK-së dhe, në një dimension tjetër, e ardhmja e Republikës së Kosovës, atdheut e mëmëdheut tonë.
Kam dëshirë t’jua kujtoj se masa e vërtetë e përgjegjësisë politike nuk matet dhe as nuk përcaktohet me atë se sa mund të përfitojë, kontrollojë apo ruajë dikush për veten e tij apo të saj. E vërteta e shërbimit qëndron në atë se sa është i gatshëm një politikan të kontribojë për të mirën më të madhe të qytetarëve, shoqërisë, popullit dhe në një dimension tjetër humanizmit në përgjithësi.
Në këtë moment dhe në kohët që vijnë, duhet të kuptojmë se në LDK, askush nuk mund dhe nuk duhet të mundet; asnjë individ apo grup nuk mund të pretendojë epërsi morale mbi dikë tjetër.
Është momenti i fundit që pakënaqësitë të përballen me arsyen, me dialogun, dhe me përgjegjësinë. Me liri dhe demokraci. Askush të mos e ngatërrojë ndikimin dhe pseudotriumfet e përkohshme me urtësinë e qëndrueshme dhe maturinë për të cilën ka nevojë LDK-ja sot, dhe nesër.
Fitoret e imagjinuara të interesave vetjake dhe klanore, përfundimisht do ta shkatërrojnë suksesin e tërësisë. Historia na mëson vazhdimisht se partitë politike mund të dobësohen nga sfidat e jashtme, por, në një mënyrë edhe më të thellë, nga konfliktet e brendshme, dhe sidomos kur politikanët egoistë humbasin nga vëmendja qëllimin e tyre të përbashkët, dhe bëjnë gjithçka për të marrë për vete gjithçka.
Logjika grupore dhe grupet duhet të ndalen. Të gjithë duhet të reflektojmë dhe ta rishqyrtojmë rrugën tonë të veprimit për kohën që po vjen. Duhet gjetur më shumë dinjitet në korrigjimin e gabimeve, dhe më shumë forcë në arritjen e një mirëkuptimi të bazuar në parime, sesa në vazhdimësinë e përçarjes fatale.
Përfundimisht, ajo çfarë na duhet tani dhe çfarë na bën më shumë nder është vendosja plotësisht në shërbim të qëllimeve të përbashkëta dhe jo në betejat plot humbje për përfitime individuale. Konfliktet që nuk po ndalen po rrezikojnë vizionin e përbashkët të LDK-së.
Pikërisht tani sprovohet pjekuria morale, intelektuale dhe qytetare e të gjithë neve. Sot në LDK, nuk është e nevojshme aftësi e pushtet për të imponuar vullnetin. Në LDK kemi nevojë për urtësi për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të vendosur interesin e përgjithshëm mbi përfitimin vetjak. Për LDK-në sot asgjë nuk është më e fuqishme se ideja e bashkimit dhe përgjegjësisë kolektive.
E ardhmja e LDK-se ndërtohet me përkushtim serioz uniteti, jo me përçarje. Duke mbrojtur lirinë e mendimit, duke kuptuar dhe kujtuar rëndësinë e tolerancës dhe të respektit ndaj mendimit ndryshe, me liri dhe demokraci.
Ne të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pushteti dhe autoriteti burojnë nga besimi dhe duhet të ushtrohen në shërbim të së mirës së përgjithshme. Prandaj, sot më shumë se kurrë, nevojitet përgjegjësi përtej interesave grupore, dialog përtej kundërshtive dhe vizion përtej kalkulimeve afatshkurtra. Historia nuk do të na e falë nëse vazhdohet me beteja të brendshme për përfitime personale.
Urtësi e maturi që ta ruajmë tërësinë.
Secila dhe secili nga ne duhet të udhëhiqemi nga arsyeja dhe të bashkohemi rreth bindjes se e mira e përbashkët qëndron mbi çdo interes individual apo vetjak. Asnjë grup, asnjë ambicie nuk është më e madhe se e mira e përbashkët, ashtu si asnjë fitore e përkohshme nuk ia vlen dobësimin afatgjatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën Ne, që të gjithë se bashku e kemi përgjegjësinë ta ruajmë e kultivojmë.
Zonja dhe Zotërinj,
Do të angazhohem për një LDK moderne, të ndërtuar mbi integritetin, drejtësinë, barazinë, meritokracinë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë. Për një LDK që është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, që shërbimin publik e konsideron përgjegjësi dhe jo biznes; për një LDK ku lidershipi nënkupton vënien në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave të ngushta grupore a klanore; për një LDK ku korrupsioni luftohet pa kompromis dhe profiterizmi refuzohet.
Sepse, besoj se vetëm një LDK e ndërtuar mbi këto vlera dhe parime mund t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës mundësi reale për prosperitet, një jetë më të mirë dhe me dinjitet, dhe ta bëjë Kosovën vend të respektuar Europian.
Ta bëjmë këtë duke kujtuar punën dhe sjelljen e Prijësit Ibrahim Rugova, dhe duke respektuar historinë e lavdishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me nderimin më të thellë për kontributin e brezave, për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, dhe vetëmohimin deri në flijim.
Duke shikuar me vizion dhe besim drejt të ardhmes së ndritur të Republikës së Kosovës, shtet Europian.
