Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përmendur sërish Kosovën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Duke folur për konfliktet që, sipas tij, ka ndihmuar t’i ndalë, Trump përmendi edhe Kosovën dhe Serbinë.
“Kam ndalur tetë luftëra dhe konflikte, përfshirë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Trump.
Kosovën, presidenti amerikan e përmendi edhe në një tjetër pjesë të fjalimit, ku shprehu mirënjohje për vendet që po kontribuojnë në stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për miratimin e Bordit të Paqes. Afër 30 shtete janë bërë pjesë e tij dhe dua t’i falënderoj për kontributin e tyre me miliona… Dua të falënderoj ata që kanë dërguar trupa dhe polici dhe trajnime, për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe më shumë”, tha Trump.
Ai shtoi se është e rëndësishme që Irani të “gjejë rrugën e drejtë” dhe që shtetet të punojnë për një paqe të qëndrueshme.
“Prej kur mora udhëheqjen, ka qenë nder të ndaloj tetë luftëra dhe të bëhem mik me liderët e shumë prej atyre shteteve”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump në të kaluarën ka deklaruar se kishte ndërhyrë për të parandaluar një përshkallëzim të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se u kishte bërë të qartë të dyja palëve se do të përballeshin me pasoja ekonomike nëse do të niste lufta.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara”, pati deklaruar Trump.
