Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë të enjten se i ka bërë presion presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë bisedimeve të fundit në Kinë, që të tërheq “gjithë agresionin ushtarak” në Evropë.
“Gjatë bisedave të mia në Kinë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kalova shumë kohë duke folur për faktin se do të doja që Presidenti Putin të tërhiqte të gjitha agresionet ushtarake kundër territoreve në të gjithë Evropën, me shpresën se një marrëveshje mund të arrihet midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe kjo të bëhet shpejt”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
“Unë vërtet besoj se kjo është një mundësi e fortë – Mijëra njerëz po vriten çdo muaj, NJË GJAKDRAHJE E PLOTË”, tha Trump.
Trump zhvilloi bisedime dypalëshe me Putinin, si dhe një takim trepalësh ku mori pjesë edhe presidenti kinez, Xi Jinping, më 19 nëntor, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin Shenzhen të Kinës jugore.
Megjithëse tre liderët publikuan një deklaratë të përbashkët, duke u zotuar për uljen e rreziqeve bërthamore dhe reformimin e OKB-së, samiti nuk solli ndonjë përparim të menjëhershëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Në një postim tjetër, Trump ndau gjithashtu një deklaratë lidhur me takimin e tij me dyer të mbyllura, të mbajtur të mërkurën në mbrëmje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Deklarata e përbashkët i bëri thirrje Rusisë të shmangë çdo veprim që “me qëllim ose pa qëllim” mund ta zgjerojë luftën, duke theksuar nevojën për të siguruar një “zgjidhje paqësore” sa më “shpejt” të jetë e mundur.
