Lajme

U bllokuan në Kanionet e Gjipesë, shpëtohen pas 8 orësh 4 turistët polakë

Pas tetë orësh përpjekjesh intensive në kushte të vështira terreni, Policia e Shtetit dhe shërbimet e tjera të emergjencës kanë arritur të shpëtojnë 4 turistët polakë, të cilët gjatë eksplorimit të Kanionit të Gjipesë ranë në një greminë.

Si pasojë e incidentit, njëri prej tyre mbeti i dëmtuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit është zhvilluar gjatë orëve të natës dhe ka përfunduar rreth mesnatës me sukses. Turistët janë evakuuar dy nga dy nga forcat e angazhuara në terren.

Në operacion morën pjesë shërbimet e DELTA Forcës, Policia e Himarës, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, zjarrfikësit, alpinistë të zonave të mbrojtura, ekipet mjekësore, si dhe helikopteri i Forcave të Armatosura. Megjithatë, për shkak të terrenit të thepisur, helikopteri nuk mundi të ulej në zonën ku ndodheshin turistët, duke e bërë ndërhyrjen nga toka të domosdoshme. Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre turistët e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i plotë:

Kanionet e Gjipesë/8 orë përpjekje intensive të Policisë dhe shërbimeve të tjera, në një terren të thepisur dhe me rrezik për jetën, për të lokalizuar dhe shpëtuar 4 turistë polakë.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, të shtrirë dhe gjatë orëve të natës, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, Policisë së Himarës dhe DVP Vlorë, si dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.

Pas njoftimit, mesditën e djeshme, se 4 turistë polakë, gjatë eksplorimit të kanioneve të Gjipesë, kishin rënë në një greminë dhe si pasojë, njëri prej tyre ishte dëmtuar, shërbimet e Policisë vendore, si pasojë e terrenit të thepisur dhe nevojës imediate për t’iu shkuar në ndihmë turistëve, nisën menjëherë kërkimet për lokalizimin dhe evakuuimin e tyre.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë, në këtë operacion kërkim-shpëtimi, në ndihmë të shërbimeve të Policisë vendore, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.

Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk mundi të futej në vendin ku ndodheshin turistët dhe operacioni vijoi nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe alpinistët.

Pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh intensive, turistët u evakuuan 2 nga 2 dhe rreth mesnatës, përfundoi me sukses operacioni për kërkim-shpëtimin e tyre.

Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme nga ekipi mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërkaq 3 turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.

4 turistët polakë falënderuan Policinë dhe të gjitha njësitë e tjera të angazhuara për përgjigjen e menjëhershme ndaj sinjalit të tyre për ndihmë, si dhe për sakrificën dhe angazhimin e specializuar dhe human për shpëtimin e jetëve të tyre./rtsh.al/

Të Ngjashme