Një 27-vjeçar shqiptar ka shmangur burgimin në Britaninë e Madhe, megjithëse pranoi përfshirjen në shpërndarjen e kokainës dhe posedimin e një dokumenti udhëtimi me identitet të rremë.
Urim Morina u dënua me dy vjet e katër muaj burg, por gjyqtari James Bromige vendosi që dënimi të pezullohej për një periudhë trevjeçare. Në vendimin për të mos e dërguar menjëherë pas hekurave janë marrë në konsideratë rrethanat e tij familjare, ndërsa është përmendur edhe situata e mbipopullimit të burgjeve.
Sipas mediave britanike, Morina kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur një dokument udhëtimi me një emër tjetër. Në gjykatë u tha se ai ishte dërguar nga babai i tij në Britani me shpresën se do të mund të ndërtonte një jetë më të mirë.
27-vjeçari përfundoi nën hetim pasi policia kontrolloi banesën e tij në muajin mars, në kuadër të një hetimi që lidhej me një grup të përfshirë në trafikun e drogës.
Gjatë operacionit nuk u gjetën lëndë narkotike në shtëpi, por oficerët sekuestruan rreth 700 paund dhe një telefon celular. Të dhënat e gjetura në pajisje, sipas hetuesve, tregonin se Morina ishte përfshirë në furnizimin me kokainë për një periudhë që shtrihej në rreth 18 muaj. Autoritetet gjetën gjithashtu një dokument udhëtimi të lëshuar në një identitet tjetër.
Një element që ndikoi në vendimin për pezullimin e dënimit ishte situata shëndetësore e partneres së 27-vjeçarit. Gjykata dëgjoi se ajo përballet me depresion dhe dhimbje kronike dhe se Morina luan një rol të rëndësishëm në përkujdesjen ndaj saj dhe familjes. Ai merret me gatimin dhe punët e shtëpisë, si dhe e shoqëron partneren gjatë vizitave mjekësore.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se Morina nuk kishte dënime të mëparshme dhe se gjatë qëndrimit në Britani kishte përfunduar disa kualifikime arsimore dhe profesionale.
Gjyqtari vlerësoi se, përveç hyrjes së paligjshme në vend dhe veprave për të cilat u deklarua fajtor në këtë çështje, i riu kishte treguar aftësi për të punuar dhe për t’u integruar.
Në përfundim, Morina nuk u dërgua në burg, por u urdhërua të kryejë 175 orë punë të papaguar dhe 25 ditë rehabilitimi, ndërsa dënimi i tij me burg do të mbetet i pezulluar për tre vjet.
Duke komentuar çështjen, Ministria britanike e Drejtësisë theksoi se vendimet për dënimet janë kompetencë e gjyqtarëve të pavarur, ndërsa nënvizoi se burgimi do të vazhdojë të përdoret për autorët që konsiderohen të rrezikshëm.
