Lajme

​U dëmtua një pjesë e kompleksit memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, policia po heton

U dëmtua pjesa e tavanit dhe korridorit të objektit përcjellës të kompleksit memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës, i cili planifikohet të bëhet muze.

Sipas raportit policor, këto dëmtime janë bërë brenda periudhës njëmujore, nga 30 maji deri më 30 qershor të këtij viti.

Avni Ajeti, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, tha se presin nga Policia të zbardhin rastin.

Ajeti: Po presim që policia t’i zbulojë dhe ta marrin dënimin

“Këtu nuk i presim mirë edhe nuk e di vetëdija e këtyre qytetarëve që vjen deri në këtë akt që t’i prish memorialet e heronjve. Mirë nuk na vjen, por po presim edhe hetuesia e policisë po shpresojmë që munden t’i gjejnë, t’i zbulojnë edhe dënimin ta marrin”, tha Ajeti.

Ai kërkoi nga institucionet të shtojnë sigurinë dhe mirëmbajtjen e këtyre hapësirave.

Ajeti: Duhet të mirëmbahet më shumë, siguria të jetë në nivel

“Normalisht edhe masa, edhe mirëmbajtje më të mirë, sepse qytetarët po shihet që e vizitojnë. Po këtu çfarë janë institucionet përgjegjëse nuk e di a marrin mjete për mirëmbajtje a jo, nuk e di, po këtu duhet të mirëmbahet më mirë edhe sigurisht që siguria me qenë më në nivel“, shtoi ai.

Që duhet të ketë më shumë siguri për këtë kompleks memorial mendon edhe qytetari që kishte ardhur për vizitë, Nexhat Xhela. Ai shprehu keqardhje për dëmtimin e kompleksit memorial “Zahir Pajaziti”.

Xhela: Për çdo qytetar që ka ndjenja për atdheun është me të vërtetë e dhimbshme

“Po, fakt më së pari është dashur qeveria jonë të ketë një mbrojtje për vende të tilla. Nuk duhet të lihet pa mbrojtje. Ajo është jashtëzakonisht dëm i madh për Kosovën. Për çdo qytetar që ka ndjenja për atdheun është me të vërtetë e dhimbshme. Edhe duhet më të vërtetë të gjithë qytetarët ta gjejnë personin, i cili e ka bërë këtë këtë vepër që nuk falet mund të them, edhe të përgjigjet para organeve të drejtësisë sa më shpejt që është e mundur”, tha Xhela.

Lidhur me këtë rast është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke u marrë me hetimin e rastit.

Të Ngjashme