Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se tashmë është ekzekutuar mbështetja e njëhershme financiare në vlerë prej 100 euro për fëmijët, në kuadër të masave mbështetëse për qytetarët.
Sipas njoftimit të ministrisë, pagesat janë realizuar për përfituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara, ndërsa mjetet pritet të reflektohen në llogaritë bankare të familjeve përfituese.
Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se shumë shpejt do të hapet edhe linku për aplikim për kategoritë tjera përfituese, përkatësisht studentët dhe punëtorët e sektorit privat, të cilët gjithashtu do të përfitojnë nga pagesa e njëhershme prej 100 euro.
Autoritetet kanë apeluar që qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare për afatet dhe procedurat e aplikimit, të cilat pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.
