Aktuale

U gjet në telefon fotoja e banesës së E.T., cilin personazh të fortë do të eliminonin vrasësit me pagesë në Lezhë?

Janë zbuluar fotot e dy personave të arrestuar nga policia e Lezhës si vrasës me pagesë, të cilët mësohet se do dalin para gjykatës së Lezhës për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ky që shihni në foto quhet Kristian Ymeri, alias Shkambi, një nga tre të arrestuarit në Lezhë, të dyshuar për planifikimin e një vrasjeje.

Në pranga kanë rënë gjithashtu Vinccesk Piroli dhe Elden Tarja.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në njërin nga telefonat e sekuestruar është gjetur fotoja e një banese në qytetin e Lezhës.

Banesa i përket një personazhi të fortë në qytetin e Lezhës me inicialet E.T.

Por ky i fundit, sipas burimeve të policisë, kishte rreth 1 muaj që ndodhej jashtë shtetit.

Ndërkohë, hetimet e policisë tregojnë se objektiv i 3 vrasësve me pagesë mund të ketë qenë dhe P.Gj., i cili i ka shpëtuar dy herë atentateve me personazhin e fortë në Lezhë, E.T.

Sipas hetimeve, tre të dyshuarit ishin të armatosur dhe lëviznin me një motor të vjedhur në Suedi, ndërsa dyshohet se po përgatiteshin të kryenin atentatin në orët e para të mëngjesit.

Sipas burimeve, plani i dyshuar nuk u realizua, pasi personat e armatosur nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre, për të cilin kishin marrë punën.

Autoritetet po hetojnë lëvizjet e tre të arrestuarve dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e lidhjeve të tyre me një grup të dyshuar për organizimin e vrasjeve me pagesë.

Ndërkohë, paralelisht me hetimet e Policisë së Lezhës, çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK-ut, i cili po shqyrton mundësinë e verifikimit të lidhjeve të të arrestuarve me një grup të strukturuar kriminal.

Aktualisht, hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës vijojnë për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “Sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes” dhe “Trafikimin e mjeteve motorike”.

Pas një analize që pritet të kryhet në ditët në vijim dhe në varësi të provave që do të dalin, do të vendoset nëse çështja do të kalojë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme.

Të Ngjashme