Nexhat Krasniqi, i cili rishtazi u emërua përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka reaguar ndaj kritikave të shumta kundrejt këtij emërimi, raporton Gazeta Sinjali.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se mund të verifikohet në të gjitha institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe ato ndërkombëtare, që asnjëherë nuk është dënuar për korrupsion, e as për marrje ryshfeti.
“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti..
Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti.
Qka është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare, është kjo:
Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave”, shkroi ai.
Ndërsa për rastin e vitit 2005 ku thuhet se ai ka keqpërdorur pozitën e tij dhe ka pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Drenas, Krasniqi ka publikuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të EULEX.
“Kurr mos u ndalni duke folur e duke shkruar zi e terr për mua, natyrisht pa asnjë fakt, veq mundohuni të paktën nganjëherë t’a bëni punën e gazetarit me etik e profesonalizëm”, shkroi më tej ai.