E.L. dhe B.N., të cilët ishin ndaluar të enjten (më 14 maj) nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, janë liruar sot në procedurë të rregullt.
Ata janë intervistuar pas incidentit të ndodhur në Skenderaj, ku kryetari i degës së LVV-së në Skenderaj dhe zëvendësministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani, dyshohet se është sulmuar fizikisht bashkë me një person tjetër, derisa po qëndronin në një lokal.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Mehani ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe persona të afërt me të.
Pas incidentit, Hysni Mehani ishte dërguar në spital për trajtim, pasi kishte marrë lëndime në kokë dhe fytyrë. Ai është liruar sot në mëngjes për trajtim shtëpiak, para orës 09:00.
Ndërkohë, Sami Lushtaku është paraqitur sot në Stacionin Policor në Skenderaj për intervistim lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë.
KosovaPress raporton se para stacionit policor janë mbledhur qytetarë në përkrahje të Lushtakut.
