Lajme

U nis për te nëna, përfundoi në makthin e jetës – arrestohet i dyshuari për dhunimin e 35-vjeçares në Llapushnik

Një ngjarje e rëndë, që dyshohet se ka nisur si një ofertë për transport dhe ka përfunduar me dhunim seksual, ka tronditur Drenasin dhe Malishevën.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se Policia ka arrestuar një 54-vjeçar, i cili dyshohet se ka dhunuar një grua 35-vjeçare pasi e kishte marrë me veturë gjatë rrugës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima, me inicialet H.S., është paraqitur në Stacionin Policor në Drenas, ku ka rrëfyer se më 11 qershor kishte hipur në autobus në Bardh të Madh për të shkuar në Komoran, me qëllim që të vizitonte nënën e saj në fshatin Lladroc të Malishevës.

Pasi kishte zbritur pranë furrës “Oreksi” në Komoran dhe po priste transport për të vazhduar rrugën, rreth mesditës pranë saj ishte ndalur një veturë e kuqe, drejtuesin e së cilës nuk e njihte.

Sipas deklarimit të saj, pasi i kishte treguar se po shkonte në Lladroc dhe se nuk kishte para për të paguar transportin, burri e kishte bindur të hipte në veturë.

Mirëpo, në vend që ta dërgonte në destinacion, ai dyshohet se e kishte devijuar rrugën dhe, pasi kishin mbërritur në afërsi të kishës në Llapushnik, kishte ndaluar automjetin, kishte kaluar nga ulësja e shoferit në pjesën e pasagjerit dhe, nën detyrim, e kishte detyruar viktimën të zhvishej, ku më pas dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.

Viktimës i është ofruar menjëherë trajtim mjekësor, ndërsa me urdhër të Prokurorit është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.

Fillimisht, identiteti i autorit ishte i panjohur, por pas veprimeve intensive hetimore të ndërmarra nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, hetuesit kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për E. B (54-vjeçar).

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast të rëndë po vazhdojnë.

Të Ngjashme