Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar publikisht presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njohjen e pavarësisë së Kosovës, përmes një opinioni të publikuar më 20 nëntor në gazetën ukrainase “Kyiv Post”. Kjo thirrje vjen pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd, në gusht të këtij viti, ku ai përsëriti qëndrimin se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në këtë kontekst, çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina po rikthehet në debatin politik në Kiev. Dy deputetë të Parlamentit ukrainas kanë shprehur për gazetën “Bota Sot” qëndrimet e tyre në mbështetje të njohjes së shtetit të Kosovës, duke kërkuar një qasje të re të udhëheqjes ukrainase ndaj kësaj çështjeje.
Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, vlerëson se nuk ekziston asnjë argument serioz moral apo juridik kundër njohjes së Kosovës, ndërsa shpreh bindjen se ky hap është vetëm çështje kohe.
Ndërkaq, deputeti Oleksii Goncharenko, i cili ka paraqitur edhe një projekt-rezolutë për njohjen e Kosovës në Parlamentin ukrainas, ka kritikuar publikisht qëndrimin e presidentit Volodymyr Zelensky për këtë çështje.
Të dy deputetët kanë vlerësuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe kanë theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Merezhko ka vënë në pikëpyetje ndikimin e qëndrimit të Serbisë në politikën e jashtme ukrainase, duke përmendur edhe raportet e Beogradit me Rusinë, ndërsa Goncharenko ka kërkuar më shumë vullnet politik nga udhëheqja e vendit të tij për njohjen e Kosovës.
Mesazhi i përbashkët i tyre për Kievin është se mbështetja që Kosova i ka dhënë Ukrainës duhet të reflektohet edhe në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Deputeti ukrainas: Nuk e kuptoj pse ministri i propagandës së Millosheviqit duhet t’i diktojë Ukrainës se kë duhet ta njohë

Deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko
Deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka shprehur qëndrimin e tij personal lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.
Merezhko ka theksuar se vendimi për njohjen i takon presidentit ukrainas, si kompetencë kushtetuese e tij, por ka nënvizuar se, nga këndvështrimi moral dhe juridik, nuk sheh arsye serioze që Ukraina të mos e njohë Kosovën.
Ai ka vlerësuar lart solidaritetin e popullit të Kosovës me Ukrainën, duke theksuar se në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të kenë përparësi parimet morale dhe jo vetëm kalkulimet pragmatike.
“Unë mund të shpreh vetëm këndvështrimin tim shumë personal dhe subjektiv, jo aq si politikan, por si qenie njerëzore dhe si jurist ndërkombëtar”, ka deklaruar Merezhko për “Bota Sot”.
Duke folur për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Ukraina, deputeti ka bërë të qartë se vendimi përfundimtar është në duart e presidentit ukrainas, të cilit i beson për vlerësimin e situatës.
“Vendimi i takon presidentit tonë. Kjo është prerogativë e tij kushtetuese për të vendosur lidhur me çështjen e njohjes. Ai e sheh të gjithë tablonë, ndryshe nga unë, dhe unë i besoj gjykimit të tij”, ka thënë ai.
Megjithatë, Merezhko ka theksuar se mbështetja e Kosovës gjatë luftës ka një vlerë të veçantë për të, duke nënvizuar se solidariteti duhet të marrë përgjigje me solidaritet.
“E vlerësoj jashtëzakonisht shumë mbështetjen e popullit të Kosovës gjatë luftës. Filozofia ime personale në politikën e jashtme është se duhet të jesh mik me ata që duan të jenë miqtë e tu, veçanërisht kur kalon periudha të vështira”, ka deklaruar Merezhko.
Ai ka shtuar se Ukraina duhet t’u përgjigjet hapave konkretë të solidaritetit dhe mbështetjes së popullit të Kosovës, duke vënë në pah edhe qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë.
“Besoj se duhet t’u përgjigjemi hapave konkretë të solidaritetit dhe mbështetjes së popullit të Kosovës. Nuk besoj se serbët do të ndalojnë së qeni miq të Rusisë. Nuk besoj se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë”, ka theksuar deputeti ukrainas.
Sipas tij, në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të kenë përparësi parimet morale, e jo vetëm interesat politike dhe kalkulimet pragmatike.
“Unë preferoj të udhëhiqem nga kategoritë e moralit në marrëdhëniet ndërkombëtare, në vend të kalkulimeve pragmatike. Si jurist ndërkombëtar, aktualisht nuk shoh asnjë argument serioz kundër njohjes së Kosovës nga Ukraina”, ka deklaruar ai.
Merezhko ka shprehur bindjen se njohja e Kosovës nga Ukraina do të ndodhë, duke shpresuar që ky vendim të mos vonojë.
“Besoj se njohja e Kosovës është vetëm çështje kohe, shpresoj që jo të largët”, ka thënë ai.
Deputeti ukrainas ka ngritur gjithashtu çështjen e ndikimit të qëndrimit të Serbisë në vendimin e Ukrainës për njohjen e Kosovës. Sipas tij, Beogradi nuk duhet të ketë ndikim përcaktues në politikën e jashtme të Kievit.
Në këtë kontekst, ai ka kritikuar ndikimin që, sipas tij, mund të ketë qëndrimi i Serbisë në këtë çështje, duke përmendur edhe të kaluarën politike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk e kuptoj pse ministri i propagandës së Millosheviqit duhet t’i diktojë Ukrainës se kë duhet ta njohë dhe kë jo. Është interesante se ai nuk guxon t’ua diktojë këtë Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, shteteve evropiane, madje as vendeve të tjera të Ballkanit. Atëherë, pse Ukraina duhet të trajtohet ndryshe? Këtë nuk e kuptoj”, ka deklaruar deputeti ukrainas.
Ai ka pranuar se mund të ekzistojnë arsye pragmatike për mosnjohjen, por ka theksuar se vetë nuk sheh arsye morale apo juridike që do ta justifikonin një qëndrim të tillë.
“Mund të ketë ndonjë arsye ‘pragmatike’ për mosnjohjen, nuk e di. Por unë nuk shoh arsye morale dhe juridike. Ky është këndvështrimi im personal”, ka thënë Merezhko për “Bota Sot”.
Deputeti ukrainas ka folur edhe për argumentin e integritetit territorial dhe ndikimin që mund të ketë qëndrimi i Rusisë në çështjen e njohjes së Kosovës.
Sipas tij, Ukraina nuk duhet të shqetësohet për reagimin e Moskës ndaj një vendimi të mundshëm për njohjen e Kosovës.
“Nuk duhet të na interesojë fare se çfarë mendon Rusia nëse e njohim apo nuk e njohim Kosovën. Edhe nëse dikur ka ekzistuar një argument i tillë, i lidhur me çështjen e integritetit territorial, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, ai e ka humbur plotësisht bazën”, ka deklaruar Merezhko.
Në mbështetje të qëndrimit të tij, ai ka përmendur edhe opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të cilin e konsideron argument të rëndësishëm juridik.
“Ekziston edhe një argument tjetër i fortë juridik – opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Me një fjalë, në dritën e këtij opinioni, nëse Ukraina e njeh Kosovën, kjo nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
Merezhko ka ngritur edhe një çështje tjetër që, sipas tij, mbetet e vështirë për t’u kuptuar: mungesën e një zyre ndërlidhëse të Ukrainës në Kosovë.
“E kam të vështirë të kuptoj pse Ukraina nuk ka as një zyrë ndërlidhëse në Kosovë. Mund të jem i gabuar, por më duket se edhe Rusia e ka një të tillë. Nuk kam përgjigje për këtë pyetje”, ka deklaruar deputeti.
Në fund të prononcimit për “Bota Sot”, Merezhko ka pranuar se edhe vetë ka më shumë pyetje sesa përgjigje lidhur me këtë çështje, por ka theksuar se një gjë e di me siguri: populli i Kosovës është në anën e Ukrainës.
“Siç mund ta shihni, edhe unë vetë kam më shumë pyetje sesa përgjigje. Por ajo që e di me siguri është se populli i Kosovës është në anën e Ukrainës”, ka përfunduar Oleksandr Merezhko.
Goncharenko: Kam kritikuar publikisht qëndrimin e Zelenskyt për mosnjohjen e Kosovës – Kam paraqitur rezolutë në Parlament dhe do të vazhdoj të punoj për njohjen

Deputeti ukrainas Oleksii Goncharenko
Deputeti ukrainas Oleksii Goncharenko, një nga mbështetësit e njohjes së pavarësisë së Kosovës në Ukrainë, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka ritheksuar qëndrimin e tij se Kievi duhet ta njohë shtetin e Kosovës.
Goncharenko, i cili prej kohësh angazhohet për këtë çështje dhe ka paraqitur edhe një projekt-rezolutë në Parlamentin ukrainas, ka kritikuar publikisht qëndrimin e presidentit Volodymyr Zelensky për mosnjohjen e Kosovës.
Ai ka theksuar se, ndonëse në Ukrainë ekzistojnë qëndrime të ndryshme për këtë çështje, vetë mbetet i bindur se njohja është e nevojshme dhe se Kosova është një nga partnerët më të afërt dhe më mbështetës të Ukrainës në Ballkan.
“Ky është një problem kompleks dhe në Ukrainë ekzistojnë vërtet mendime të ndryshme lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka politikanë që e mbështesin vazhdimisht këtë hap, dhe unë jam njëri prej tyre. Prej kohësh kam mbrojtur qëndrimin se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe madje kam dorëzuar një projekt-rezolutë përkatëse në Parlamentin ukrainas”, ka deklaruar Goncharenko për “Bota Sot”.
Duke folur për arsyet që mund ta pengojnë Ukrainën ta njohë Kosovën, deputeti ka përmendur shqetësimet se Rusia mund ta shfrytëzojë një vendim të tillë në propagandën e saj dhe në përpjekjet për të justifikuar aneksimin e paligjshëm të territoreve ukrainase.
Megjithatë, sipas Goncharenkos, këto janë situata krejtësisht të ndryshme dhe nuk duhet të trajtohen si të barabarta.
“Mund të ekzistojnë disa shqetësime lidhur me mënyrën se si Rusia mund ta shfrytëzojë një vendim të tillë në propagandën e saj dhe në përpjekjet për të justifikuar aneksimin e paligjshëm të territoreve ukrainase. Por, sipas mendimit tim, këto janë situata thelbësisht të ndryshme dhe nuk duhet të barazohen”, ka theksuar ai.
Goncharenko ka shtuar se nuk mund të flasë në emër të presidentit apo qeverisë ukrainase për të shpjeguar arsyet që qëndrojnë pas vendimeve të tyre.
“Është e vështirë për mua të flas në emër të presidentit ukrainas apo të qeverisë dhe të shpjegoj arsyetimin pas vendimeve të tyre”, ka deklaruar deputeti.
Ai ka bërë të ditur se nuk është pajtuar me qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për mosnjohjen e Kosovës dhe se këtë mospajtim e ka shprehur vazhdimisht publikisht.
“Kam kritikuar vazhdimisht dhe publikisht qëndrimin e presidentit Zelensky për mosnjohjen e Kosovës. Por pikërisht kjo është demokracia: ne mund të kemi mendime të ndryshme, t’i shprehim ato hapur dhe të debatojmë për politikën e jashtme të vendit tonë”, ka deklaruar Goncharenko për “Bota Sot”.
Ai ka theksuar se demokracia u mundëson politikanëve të shprehin qëndrimet e tyre edhe kur ato ndryshojnë nga pozicioni i udhëheqjes shtetërore.
Deputeti ukrainas ka vlerësuar lart mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës, duke e cilësuar vendin tonë si një nga partnerët më të afërt dhe më mbështetës në rajonin e Ballkanit.
“Kosova është një nga partnerët më të afërt dhe më mbështetës të Ukrainës në Ballkan. Ne e njohim dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë ai.
Goncharenko ka theksuar se, sipas tij, Ukraina duhet të forcojë marrëdhëniet me aleatët e saj, në vend që t’i humbasë ata për shkak të vendimeve diplomatike.
“Për mendimin tim, Ukraina duhet t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët e saj, në vend që t’i humbasë ata si rezultat i vendimeve diplomatike”, ka deklaruar deputeti ukrainas.
I pyetur për mbështetjen që ekziston në Parlamentin ukrainas për njohjen e Kosovës, Goncharenko ka thënë se kjo mbështetje është e pranishme, por ka pranuar se aktualisht nuk mund të vlerësojë nëse ekziston numri i mjaftueshëm i votave për miratimin e rezolutës përkatëse.
“Mbështetja në Parlamentin ukrainas ekziston, megjithëse në këtë moment është e vështirë për mua të vlerësoj nëse ka vota të mjaftueshme për miratimin e rezolutës përkatëse”, ka thënë ai.
Sipas Goncharenkos, është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu politik dhe diplomatik ndërmjet dy vendeve, të forcohen lidhjet ndërparlamentare dhe të zhvillohet bashkëpunimi bilateral.
“Besoj se është e rëndësishme të vazhdohet dialogu politik dhe diplomatik, të forcohen lidhjet ndërparlamentare dhe të zhvillohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona. Në të njëjtën kohë, njohja nuk varet vetëm nga përpjekjet diplomatike të Kosovës, por edhe nga vullneti politik i udhëheqjes së Ukrainës”, ka theksuar deputeti.
Në fund të prononcimit për “Bota Sot”, Goncharenko ka ritheksuar se qëndrimi i tij për njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe se do të vazhdojë të angazhohet për këtë çështje në Parlamentin ukrainas dhe në nivel ndërkombëtar.
“Qëndrimi im personal mbetet i pandryshuar: Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Do të vazhdoj të punoj për këtë çështje dhe të angazhohem për njohjen, si në Parlamentin ukrainas, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, ka përfunduar Oleksii Goncharenko.
