Aktuale

Upss/ A u keqkuptua Soni Malaj nga surpriza e Flor Mumajesit?

Raporti kompleks dhe nostalgjik mes Soni Malajt dhe Flori Mumajesit vazhdon të mbetet kryefjala e këtij edicioni të “Ferma VIP”.

Pas surprizës spektakolare me 300 dronë që ndriçuan qiellin e fermës, Soni u përball gjatë natës së “Prime” me pyetjet e drejtpërdrejta të moderatores Arbana Osmani lidhur me raportin e tyre aktual.

E pyetur nëse e priste një gjest të këtyre përmasave, Soni theksoi rëndësinë e madhe që Flori ka në jetën e saj, duke vënë në dukje se të dy preferojnë t’i mbajnë gjërat larg syrit të publikut:

“Unë gjithmonë e kam pasur të nevojshme mbështetjen e Florit. Pa diskutim ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Si ai, edhe unë, jemi persona shumë diskretë. Pavarësisht këtij vizibiliteti të madh, gjërat personale i mbajmë private. Prisja ndoshta diçka të vogël, por jo aq të madhe. Për mua ishte një lumturi shumë e madhe, sepse Flori është një tip që nuk flet shumë. Nuk është i fjalëve të mëdha, gjithmonë kemi folur me vepra.”

Këngëtarja sqaroi gjithashtu se pavarësisht kohës dhe thashethemeve në media, respekti mes tyre nuk është zbehur kurrë:

“Ne kemi një respekt reciprok për njëri-tjetrin. Pavarësisht aludimeve që mund të jenë bërë në publik apo në media, ne e kemi mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin.”

Gjatë bisedës, Arbana zbuloi se Flori e ndjek rregullisht programin. E pyetur se çfarë mesazhi do t’i dërgonte nëse ai po e ndiqte në ato momente, Soni la të kuptohej se e shihte këtë surprizë si diçka më tepër sesa thjesht mbështetje kolegiale:

“Unë besoj që në një marrëdhënie hapat pak më të rëndësishëm duhet t’i marrë mashkulli. Ai gjërat nga ana ime i di, kështu që nuk kam çfarë t’i them.”

Më tej, kur u pyet nëse do të ishte e hapur për një shans të dytë me kantautorin – ndonëse ky i fundit nuk u shfaq fizikisht dhe as nuk bëri ndonjë deklaratë të hapur rikthimi – Soni kujtoi me buzëqeshje një bisedë të bërë më herët me Mozën:

“I thashë Mozës që ndoshta pleqëria është më e ëmbël për t’u kaluar bashkë.”

Në fund të diskutimit, këngëtarja shkaktoi të qeshura dhe reagime të shumta me pyetjen e saj epike drejtuar produksionit:
“Tani vetëm një pyetje kam. Unë kam hyrë në fermë me statusin ‘single’. Unë nuk quhem më ‘single’ tani, që ta di? Merrni një konfirmim nga Flori, se mos na hyn ndonjë fermer dhe ku i dihet.”

Megjithatë, Arbana u tregua e prerë duke sqaruar se dronët ishin thjesht një shenjë mbështetjeje dhe jo një deklaratë zyrtare.

Nga ana tjetër, Moza e ngacmoi me humor duke i thënë: “Mos u gënje nga një dron, thuaj të vijë vetë këtu”.

Ky moment ka nxitur edhe reagime plot ironi e batuta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë komentuar me humor: “Po Flori a e di që i ka dërguar dronë Sonit?”.

Të Ngjashme