Lajme

​“Uroj të mos jepni llogari pasi të më merret jeta”, letra e Arlindës vendoset në sheshin e Pejës

Letra me të cilën Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, pak ditë para se të vritej, është vendosur në sheshin e Pejës, në shenjë proteste ndaj mosmbrojtjes së saj.

“Deri kur?” është mbishkrimi që shoqëron letrën e ekspozuar në hapësirën publike që nga e hëna, pas vrasjes së Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në një pjesë të letrës që viktima ia kishte drejtuar prokurores në Pejë.

Në këtë letër, Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve dhe masa ndaj personave që, sipas saj, kishin dështuar t’i përmbushnin detyrimet për mbrojtjen e saj. Ajo kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Në shenjë proteste ndaj vrasjes, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka realizuar të hënën grafitë në Pejë, duke kërkuar drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi institucionale.

Përmes një reagimi publik, Kolektivi ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe protestë kombëtare, duke kërkuar që siguria e grave të trajtohet si çështje urgjente.

“Nga Peja thërrasim për organizim e revoltë kombëtare nga kjo e mërkurë e tutje për jetë e siguri për gratë e gjalla, e drejtësi për Arlinda Zekajn e çdo grua të vrarë. Ky shtet nuk mund të ketë qetësi pa sigurinë e grave!”, thuhet në reagimin e Kolektivit.

Protesta është paralajmëruar për të mërkurën, më 28 tetor, nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nën thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse, pasi viktima kishte kërkuar mbrojtje para se të vritej.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës për trajtimin e rastit. Po ashtu, është kërkuar analizimi i veprimeve institucionale në rastet ku viktimë kishte qenë Zekaj.

Në lidhje me vrasjen, autoritetet kanë identifikuar si të dyshuar kunatin e viktimës. Arlinda Zekaj, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës, do të varroset sot, më 27 tetor.

Familja e saj ka njoftuar që ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.

I dyshuari për rastin, Albert Sylaj, sipas, policisë, gjendet ende në arrati.

Rasti tronditi opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te dhuna në familje dhe nevoja për mbrojtjen e grave.

Të Ngjashme