Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga mot fillimisht shumë i nxehtë, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, përcjell KosovaPress. Ndërkohën edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta, duke respektuar masat bazë për mbrojtjen e shëndetit.
Të hënën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pjesërishme. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15 dhe 18°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 38°C, duke e bërë këtë ditën më të nxehtë të javës. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.
Të martën parashihet mot i vranët me intervale me diell. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të jenë15–18°C, ndërsa maksimalet 32–35°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–10 m/s.
Të mërkurën do të mbajë mot të ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe erërave të përkohshme më të fuqishme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18°C, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34°C. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–9 m/s.
Të enjten pritet mot kryesisht me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites mund të ketë reshje të izoluara në disa zona. Temperaturat minimale do të jenë 14–18°C, ndërsa maksimalet do të zbresin dukshëm në 24–27°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–6 m/s.
Ndërsa, të premten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Në disa zona të izoluara vranësirat mund të sjellin reshje të shkurtra lokale. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16°C, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 28°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.
Kushtet agrometeorologjike
“Temperaturat shumë të larta në fillim të javës do të rrisin avullimin dhe humbjen e lagështisë nga toka, ndaj rekomandohet ujitje e rregullt e kulturave bujqësore, veçanërisht perimeve dhe kulturave që ndodhen në fazat intensive të rritjes. Reshjet e parashikuara në mesin e javës do të përmirësojnë rezervat e lagështisë në tokë, megjithëse në zonat ku priten rrebeshe më intensive mund të ketë dëmtime lokale nga breshri”, thuhet në njoftim.
Kushtet biometeorologjike
Fillimi i javës do të karakterizohet nga kushte biometeorologjike të pafavorshme për shkak të vapës së madhe dhe stresit termik. Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit 10:00–17:00, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura. Me depërtimin e ajrit më të freskët nga mesi i javës, kushtet biometeorologjike do të përmirësohen dukshëm.
Situata sinoptike në Evropë
Ndërkohë, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore dhe Jugperëndimore vazhdojnë të përballen me një valë intensive të të nxehtit. Në disa rajone të Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Italisë temperaturat vazhdojnë të tejkalojnë 40°C, si pasojë e depërtimit të masave shumë të nxehta ajrore nga Afrika Veriore dhe ndikimit të një fushe të fuqishme anticiklonike. Në Kosovë, megjithëse fillimi i javës do të jetë shumë i nxehtë, depërtimi i ajrit më të freskët në mesin e javës pritet të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje lokale dhe kushte më të favorshme atmosferike në fund të javës.
