Aktuale

“Vëlla, më dërgo paratë! ”/ Nga arratisja që i kushtoi jetën policit te trafiku i kokainës, Genti Berisha në dosjen e 14 mln eurove dhe shufrave të arit që përfundonin në Shqipëri

Një arratisje nga policia italiane që përfundoi me vdekjen e një efektivi, qindra kilogramë kokainë të trafikuara në Europë, miliona euro të dyshuara si të ardhura kriminale dhe shufra ari që transportoheshin drejt Shqipërisë. Këto janë dy dosjet që kanë rikthyer në vëmendjen e autoriteteve italiane emrin e 26-vjeçarit shqiptar Genti Berisha, i cili tashmë rezulton i përfshirë edhe në hetimet për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Sipas mediave italiane, emri i Berishës është shfaqur në dosjen e operacionit “Caveau 38”, një hetim i Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Milanos, që ka zbuluar një skemë të dyshuar pastrimi parash me vlerë të paktën 14 milionë euro, të lidhura me trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë.

Por përpara se emri i tij të dilte në këtë dosje, i riu shqiptar ishte bërë protagonist i një ngjarjeje tragjike në Milano, ku një efektiv i policisë lokale humbi jetën gjatë ndjekjes së automjetit që ai drejtonte. Ngjarja ndodhi natën mes 22 dhe 23 qershorit, kur Berisha, në timonin e një automjeti luksoz Audi Q8 të marrë me qira, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në një pikë kontrolli në rrugën Via Vittorini.

Refuzimi për të ndaluar shkaktoi një ndjekje me shpejtësi të lartë në rrugët periferike të Milanos. Gjatë operacionit, polici 39-vjeçar Francesco Imprezzabile, i cili po ndiqte automjetin me motoçikletë, humbi kontrollin ndërsa lëvizte me një shpejtësi që raportohet të ketë arritur në 180 kilometra në orë. Efektivi u rrëzua në asfalt në një rrugë që lidh zonën Milano-Ponte Lambro me Peschiera Borromeo, duke pësuar dëmtime fatale.

Megjithatë, hetimi për vdekjen e policit nuk është e vetmja çështje me të cilën përballet 26-vjeçari.

Emri i tij është shfaqur edhe në një dosje shumë më të gjerë kriminale, ku autoritetet italiane po hetojnë një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash përmes kompanive të tregtimit të metaleve të çmuara.

Sipas hetimeve të operacionit “Caveau 38”, organizata dyshohet se kishte krijuar një mekanizëm për të transferuar fitimet e trafikut të drogës nga vendet europiane drejt Shqipërisë, duke i konvertuar paratë në ar. Hetuesit kanë gjurmuar të paktën 14 milionë euro të ardhura të dyshuara nga trafiku i kokainës, ndërsa një pjesë e tyre është konvertuar në rreth 8 kilogramë shufra ari përmes kompanive italiane të përpunimit të metaleve të çmuara në zonën e Alessandrias. Ari transportohej më pas drejt Shqipërisë, duke përdorur automjete me hapësira të fshehta për të shmangur kontrollet.

Në qendër të hetimit janë dy kompani, “Target srl”, me seli në Milano dhe Alessandria, e specializuar në tregtimin, shkrirjen dhe rafinimin e metaleve të çmuara, si dhe “Futuro Immobiliare srl”, e cila dyshohet se përdorej për investimin e parave në pasuri të paluajtshme. Kompania e dytë rezulton pronare e 24 pasurive, përfshirë apartamente, banesa, magazina, dyqane dhe garazhe në disa provinca të Italisë veriore. Prokurorët Paolo Storari dhe Rosario Ferracane, së bashku me Roberto Pellicano, kanë urdhëruar sekuestrimin paraprak emergjent të dy kompanive, në kuadër të hetimit që përfshin 52 persona të dyshuar.

Në dokumentin prej 24 faqesh të prokurorisë përmendet edhe Genti Berisha, së bashku me disa anëtarë të familjes së tij, përfshirë bashkëshorten Armela Luka. Sipas hetuesve, 26-vjeçari ishte ndër personat që dyshohet se merrnin në dorëzim shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiku i drogës.

Një nga provat e administruara në dosje është një komunikim i koduar i datës 29 dhjetor 2020, ku Berisha diskuton me një person të identifikuar nga hetuesit me kodin “2PBCSP” për transferimin e qindra mijëra eurove mes Gjermanisë dhe Spanjës.

“Vëlla… më dërgo ato para në Alicante… sepse jam i lidhur me Këlnin”, shkruante bashkëbiseduesi në komunikimin e përgjuar.

Biseda lidhej fillimisht me 300 mijë euro që duhej të dorëzoheshin në Këln të Gjermanisë dhe më pas të viheshin në dispozicion në Alicante të Spanjës. Në një moment tjetër, Berisha dërgonte një fotografi me adresën Kalk-Mülheimer Straße 268, ku korrieri duhej të dorëzonte 366.650 euro.

“Ai shoku yt, vëlla, po m’i sjell këtu… 355.000 + 3%”, thuhej në një tjetër mesazh.

Sipas hetuesve, adresa i përkiste banesës së Ilir Ahmetajt, e identifikuar si një nga pikat e grumbullimit të parave të gatshme që dyshohet se vinin nga trafiku i kokainës.

Një tjetër episod i dokumentuar në hetim lidhet me datën 25 nëntor 2021, kur Hashim Berisha, një tjetër pjesëtar i familjes, dyshohet se i dorëzoi një punonjësi të kompanisë në Alessandria 367.300 euro në kartëmonedha. Dy ditë më vonë, ai tërhoqi 7.2 kilogramë ar në zonën mes Rocchetta Ligure dhe Valmadonna.

Sipas hetimeve, shufrat u fshehën në një fund të dyfishtë të një automjeti Mercedes që ishte nisur drejt Shqipërisë. Autoritetet italiane kishin vendosur pajisje përgjimi në automjet, duke regjistruar bisedat dhe lëvizjet e personave të përfshirë./vna.al

Të Ngjashme