Partia Demokratike e Kosovës po synon që të inicojë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale pas verdiktit denues për katërshen e UÇK-së. Kjo, siç merr vesh televizioni Dukagjini, pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme. Avokatët kosovarë pohojnë që ndryshimi është i mundur jurdikisht, por sipas tyre, duhet të ndryshohet edhe amandamenti kushtetues, për të cilin nevojiten edhe votat e Listës Serbe.
Verdiktin për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare e dha duke u thirrur në emer të popullit të Kosovës.
Me dënimin prej 81 vjetësh burgim në total për katërshën e UÇK-së s’po pajtohet askush, andaj po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kjo iniciativë pritet të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, siç merr vesh Dukagjini, gjatë javës së ardhshme.
Por a mund të ndryshohet ligji për Specialen?
“Neni 65, paragrafi 1 dhe 2 e parashohin mënyrën e ndryshimit të ligjit por nëse shkohet vetëm më ndryshimin e ligjit, konsideroj që është pak, për shkak se Dhomat e Specializuara në kuadër të vet kanë edhe Gjykatën Kushtetuese me kompetencë që t’i anuloj edhe ligjet edhe vendimet e Kosovës kur kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Skender Musa, Avokat i akredituar në Gjykatën Speciale.
Musa tutje bëri të ditur se duhen edhe votat e komuniteteve jo shumicë, përfshi edhe ato të Listës Serbe nëse synohet edhe ndryshimi i Kushtetutës.
“Me pas sukses ndryshimi pa u prekur pavarësia e Gjykatës dhe me u ndryshu amandamenti kushtetues duhet 2/3 e deputetëve shumicë, pra shqiptar dhe 2/3 e deputetëve të komuniteve, serb dhe komunitet tjera, pra juridikisht ndryshimi është i mundëshëm”, ka deklaruar Musa.
Që ekzistojnë dispozita që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e tha edhe avokati, Ardian Bajraktari.
“Ekzistojnë një varg dispozitash të cilat janë në shpërputhje me kushtetutën siç është çështja e dënimeve pastaj kemi edhe mungesë të mekanizmit të mbikqyrjes së kësaj gjykate të gjitha këto mund të bëhen në një procedurë legjilsative në kuvend nën supozimin që ka vullnet për ta bërë pavarësisht që është realitivisht vonë”, ka theksuar ai.
Një ditë më parë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza deklaroi se i kanë 22 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme.
Televizioni ka mësuar se iniciativa ka të bëjë me ndryshimet që mund të lidhen me shkallën e dytë të Gjykatës, pra me Apelin, që procedurat të mund të zhvillohen në Kosovë.
