Zgjedhjet e reja në Kosovë vijnë në një klimë të thellë bllokade politike, ku mungesa e kompromisit mes partive ka zhvendosur garën nga programet drejt emrave dhe përplasjeve personale.
Pa një rikonfigurim të qartë të skenës politike dhe një marrëveshje që do të tejkalonte linjat aktuale të ndarjes, procesi zgjedhor i 7 qershorit shihet më shumë si vazhdimësi e një krize të gjatë institucionale.
E në lidhje me këtë situatë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Diaspora, Agim Aliçkaj.
Veprimtari thotë se opozita, sipas tij, nuk e ka pranuar vullnetin demokratik të popullit dhe përmes bojkotimeve e bllokadave ka shkaktuar zgjedhje të panevojshme.
Ai gjithashtu thekson se mbështetësit e Kurtit duhet ta mbrojnë votën dhe shumicën politike vetëm përmes votës demokratike.
“Vota është e shenjtë, mundet dhe duhet të mbrohet vetëm me votë.
Zgjedhjet e 7 Qershorit nuk janë zgjedhje normale. Ato janë zgjedhje të imponuara nga opozita e Kosovës, të lodhshme, të kushtueshme dhe plotësisht të panevojshme. Ato janë një eksperiment i keq dhe i ulët me vullnetin e popullit.
Pa një program konkret qeverisës, nga paaftësia për t’i fituar zgjedhjet në mënyrë normale, krerët e opozitës janë orientuar në bojkotime dhe bllokada.

Agim Aliçkaj
Në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, populli e shprehu vullnetin e vet në mënyrë të qartë demokratike që kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij LVV, Guxo, Alternativa, PSHDK, t’i vazhdohet edhe një mandat. Opozita, e pakënaqur me rezultatin, në mungesë të vullnetit për kompromis, bllokoi krijimin e institucioneve. Humbësi më i madh ishte LDK-ja, e cila e refuzoi ofertën e z. Kurti për koalicion.
Në dhjetor, populli votoi me shumicë absolute për ta bindur opozitën ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Opozita e bllokoi prapë, duke e bojkotuar zgjedhjen e Presidentit. Tashmë nuk është më garë midis opozitës dhe koalicionit të KM Kurti. Tashmë është konfrontim i opozitës me popullin shumicë të Kosovës”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje Aliçkaj shton se opozita po e pengon realizimin e vullnetit të shumicës dhe se qytetarët duhet ta mbështesin më fuqishëm Kurtin për stabilitet institucional.
Ai gjithashtu argumenton se ndarja mes Kurtit dhe Vjosa Osmanit e ka dobësuar këtë të fundit politikisht dhe se, sipas tij, Kosova aktualisht ka më shumë nevojë për Kurtin sesa për Osmanin.
“Opozita është duke e nënçmuar dhe mohuar në mënyrën më arrogante realizimin e vullnetit të popullit. Prandaj, populli nuk ka rrugë tjetër pos t’ia shtojë votat z. Kurti, për ta mbrojtur votën e vet të shenjtë demokratike dhe për ta mundësuar funksionimin normal të shtetit.
Përçarja në mes të KM Kurti dhe ish-Presidentes Vjosa Osmani, e realizuar në mënyrë perfide nga forcat serbe me ndihmën e kryeministrit Edi Rama, i ngjalli shpresat e LDK-së dhe opozitës se LVV-ja do të dobësohet. Por, me kalimin e kohës dhe gabimeve të njëpasnjëshme të znj. Osmani në paraqitjet e veta, është duke u zvogëluar efekti i saj te votuesit.
Përderisa përfaqësimi ndërkombëtar i znj. Osmani, në kombinim me ndërtimin dhe forcimin e shtetit nga z. Kurti, ishte formulë ideale për Kosovën, kjo nuk shihet të ketë sukses me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Vjosa pa Kurtin e ka humbur vlerën dhe Kosova në këtë moment ka nevojë më shumë për z. Kurti sesa për znj. Osmani”, thotë Aliçkaj.
Duke vazhduar bisedën veprimtari shpreh shqetësim për degradimin e gjuhës dhe tensioneve politike, duke paralajmëruar se dhuna dhe propaganda po krijojnë pasiguri te qytetarët.
Ai gjithashtu beson se Kurti mbetet figura më e besueshme për qeverisje dhe se opozita duhet ta pranojë vullnetin elektoral të shumicës.
“Diskursi politik para këtyre zgjedhjeve ka rënë në nivelin më të ulët. Fyerjet, shpifjet dhe akuzat e pabaza ndaj njëri-tjetrit janë bërë të neveritshme. Sulmi fizik ndaj një zëvendësministri, pa kurrfarë arsyetimi, e frikëson popullin nga mundësia e kthimit të kacafytjeve dhe vrasjeve politike të pasluftës.
Shtypi i Kosovës, Shqipërisë dhe trojeve të tjera, në shumicë, është infiltruar nga armiqtë e Kosovës. Mediat sociale, pa kurrfarë kriteresh, e kanë sjellë popullin në një situatë që të mos i besojë askujt.
Në çfarëdo situate dhe kombinimi, kryeministri Kurti del më i besueshmi për qeverisje dhe nuk ka dilemë që do ta fitojë shumicën e votave. Nëse e kalon 50% në këto zgjedhje, bllokadave të opozitës u humbet plotësisht kuptimi.
Opozita më në fund duhet t’i nënshtrohet vullnetit të popullit shumicë, sepse edhe njëmijë herë të shkaktojnë zgjedhje, kurrë nuk do të fitojnë. Vota demokratike është e shenjtë dhe populli gjithmonë do ta mbrojë atë prapë me vote”, theksoi ai.
Në fund, veprimtari potencon se opozita duhet ta pranojë rezultatin zgjedhor, të reformohet dhe të përgatitet seriozisht për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Kurtit t’i jepet mundësia të qeverisë pa pengesa.
Ai paralajmëron se çdo përdorim i dhunës ose destabilizimi politik do të ishte veprim kundër interesave të Kosovës dhe kundër vullnetit demokratik të popullit.
“E vetmja shpresë dhe i vetmi veprim i mençur për opozitën do të ishte ta pranojë verdiktin e popullit për këto zgjedhje, të reflektojë, të ndryshojë dhe, me programe reale, të përgatitet për të konkurruar në zgjedhjet e tjera pas një mandati tjetër të plotë të kryeministrit Kurti.
Nëse i lejohet z. Kurti qeverisja normale, atëherë edhe përgjegjësia e tij do të ishte më e madhe. Në mungesë të rezultateve pas katër viteve, krijohet mundësia që gjërat të ndryshojnë në favor të opozitës.
Ka indikacione se disa grupe të opozitës mund të përpiqen të shkaktojnë incidente dhe trazira. Ky do të ishte kulmi i veprimit anti-popullor, anti-shtetëror dhe anti-kombëtar. Këtë nuk do t’ua falte kurrë populli i Kosovës, bashkësia ndërkombëtare, as historia. Ata që tentojnë të ndezin zjarr do të digjen vetë në të.
Çfarëdo tentimi për përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera ilegale, jodemokratike, paraqet sulm të drejtpërdrejtë mbi rezistencën heroike shekullore dhe luftën për liri të popullit shqiptar të Kosovës Dardane”, përfundoi Aliçkaj për “Bota sot”.
