Lajme

Viktima e parë nga stuhia në Kosovë, tragjedi në Viti

Një person i moshës rreth 61-vjeçare ka humbur jetën aksidentalisht këtë të martë në Pozheran të Vitisë.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Ai ka thënë se si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, viktima dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë.

I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete.

“Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, tha Osmani.

Po ashtu, si pasojë e kushteve atmosferike, dy persona nga fshati Pozheran kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.

Të Ngjashme