Altin Krasniqi shpreh mirënjohje për të gjithë ata që u solidarizuan me familjen gjatë qëndrimit katërditor të ish-zëdhënësit të UÇK-së në Kosovë.
Altin Krasniqi, djali i ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka falënderuar qytetarët për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar ndaj familjes së tij në këto ditë të vështira.
Jakup Krasniqi, i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator, ka përfunduar sot qëndrimin katërditor në Kosovë, gjatë të cilit pati mundësi të qëndronte pranë familjes së tij.
Përmes një mesazhi publik, djali i tij ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes dhe u solidarizuan me ta.
“Në emër të familjes, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tonë për secilin prej jush që, në këto momente të vështira për familjen tonë, u solidarizuat me ne dhe na dhatë forcë”, ka shkruar Altin Krasniqi.
Falënderimi vjen pas përfundimit të vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, e cila i mundësoi atij të kalonte disa ditë me familjarët.
