Kandidatja për presidente nga LDK, Vjosa Osmani, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke deklaruar se ai ka përmendur mundësinë që për kampin amerikan në Ferizaj, Bondsteel, të kërkohet pagesë qiraje.
“Kush do ta kishte imagjinuar se të gjitha këto bëhen pengesë dhe frikë e arsye për bllokadë të shtetit tonë dhe zgjedhje të panevojshme. Kush do ta kishte imagjinuar që konsiderohesh pengesë sepse e do Kosovën si shtet ku ushtari i Kosovës mbron paqen krah për krah me ushtarin amerikan, e jo si një shtet ku politikanë të caktuar thonë se Bondsteel-it duhet t’i qesim e t’i kërkojmë qira”, u shpreh Osmani
Profesori Enver Bytyçi kritikon ashpër raportet e tensionuara mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, duke akuzuar Osmanin se po sillet me ego dhe po zbulon çështje që ai i konsideron sekrete shtetërore.
Sipas tij, nëse Kurti ruan qetësinë dhe nuk futet në përplasje publike, ai do ta fitojë betejën politike me dinjitet.
“Fushata elektorale në Kosovë filloi. Dje Vjosa Osmani shigjetoi Albin Kurtin, ndërsa sot akuzoi se ai paska kërkuar qera për bazën amerikane apo të NATO-s në Bonstill të Ferizajt. Vjosa dhe Albini kanë shumë gjëra për të thënë kundër njëri-tjetrit. Nëse ata do të sillen si fëmijë, atëherë në zemrim e sipër ata do të nxjerrin nga barku gjithçka që ka bardhaku. Vjosa ka nis të sillet si bebe, jo më si fëmijë. Me egon e saj të çmendur ajo ka mundësi që të thotë edhe sekrete shtetërore. Në fakt edhe nëse Albin Kurti paska kërkuar qera për bazën ushtarake në Bonstill, kjo ishte çeshtje e diskutuar në margjinat e diskutimeve diskrete dhe kjo përbën sekret shtetëror. Por Vjosa nuk njeh asnjë kufi. Nuk është Vjosa, është egoja e saj, është subkoshienca që flet. Nënvetëdija e ka mundur vetëdijen, subkoshienca e ka nënshktruar koshiencën te ajo.
Nëse Vjosa Osmani vazhdon dhe flet për çka ka parë dne dëgjuar në funksionin e presidentes së Republikës së Kosovës, ajo do ta përdhosë detyrën e saj fisnike. Nëse Albin Kurti hesht dhe nuk e ndjek në çmendurinë e saj, atëherë ai do ta fitojë me dinjitet betejën me Vjosa Osmanin”, thotë ai.
Bytyçi vazhdon mbrojtjen e Albin Kurti, duke argumentuar se kërkesa për qira ndaj bazës ushtarake të Kampit Bondsteel nuk duhet parë si çështje financiare, por si simbol i sovranitetit të Kosovës mbi territorin e saj.
Ai sulmon ashpër Shkëlzen Maliqi dhe Vjosa Osmani, duke i akuzuar për mentalitet servil ndaj Amerikës dhe për shtrembërim të qëndrimeve të Kurtit.
Sipas Bytyçit, SHBA-ja nuk ka ndërhyrë në Kosovë për ta kolonizuar atë, ndërsa shton se Kurti, ndryshe nga kundërshtarët e tij politikë, jeton me qira dhe nuk ka pasuri luksoze. Në fund, ai lidh këtë debat edhe me ish-udhëheqës si Hashim Thaçi dhe Edi Rama, duke i akuzuar për mentalitet që dëmton interesat shtetërore të Kosovës.
“Por edhe diçka tjetër! Ish-militantët e Titos dhe të Stamboliçit, ndoshta më parë edhe të Rankoviçit, si Shkëlzen Maliqi, duhet të heshtin. Mos bëjnë sikur janë aq pro-amerikanë sa nuk kanë qenë dhe nuk janë. Zeni thoshte se „Nëse Kurti kërkon qera për Bonstillin, atëherë Trump do të kërkojë të kththen shpenzimet e e luftës së vitit 1999“! Logjikë e ndërkryer sipas stilit titist. Pse e them këtë?
Ta zëmë se Kurti ka kërkuar qera për këtë bazë ushtarake. Jam i sigurt se ai nuk ka përcaktuar ndonjë masë se sa do të ishte kjo qera për t’u paguar! Kjo do të thotë se Albin Kurti ka një vizion të madh për Kosovën. Edhe sikur njëmijë euro të ishte qeraja, kjo do të ishte ajo që do të duhej ta kërkonte edhe Vjosa Osmani dhe çdo shtetar tjetër në Kosovë. Sepse qeraja nuk përbën vetëm vlerë monetare që krijon të ardhura për qeradhënësin, në këtë rast Kosovën. Pagesa e një qeraje ka simbolikën se toka e Kosovës i përket Kosovës. Eshtë parim universal ky. Dhe nëse Albin Kurti ka vepruar për t’iu përmbajtur këtij parimi, ai duhet konsideruar si strateg, si lidership i pakontestueshëm. Amerika nuk ka shpenzuar në luftën e Kosovës për ta kolonizuar atë. Nëse Vjosa dhe avokati i saj, Shkëlzen Maliqi, kërkojnë ta bëjnë Kosovën koloni, atëherë është më mirë që qeveria e Kosovës të ndajë nga buxheti i saj e t’ia paguajë borxhin miqve amerikanë. Megjithëse jam i sigurt se as Donald Trump dhe asnjë president tjetër amerikan kurrë nuk do ta thoshte atë që thotë “mendja e ndritur“ servile e Shkëlzen Maliqit dhe atë që po reklamon egoja e Vjosa Osmanit.
Vjosës, Zenit dhe të gjithë atyre që do ta dënojnë këtë kërkesë të Albin Kurtit për ta trajtuar në parim një lloj qeraje për bazën e Bonstillit do t’u kujtoj se zoti Kurti ndryshe nga ata që kanë katër a pesë vila secili, pra Kurti jeton me qera. Nuk e di se e bën këtë për të qenë si gjithë të tjerët apo se nuk ka mundësi financiare. Por ai jeton me qera. Albin Kurti nuk ka vila. Këta që kanë aq shumë vila, nëse duan të solidarizohen me ndihmën amerikane për çlirimin e Kosovës bëjnë mirë që disa prej këtyre vilave t’ua falin oficerëve dhe ushtarëve amerikanë të Bonstillit. Por jo! Këta janë të gatshëm të falin sërishmi tokën e Kosovës! Ky ishte dhe është mentaliteti i Thaçit dhe Ramës!” – përfundon ai.
