Lajme

Vlora Hyseni dhe dy të arrestuarit e tjerë do të merren në pyetje nesër nga hetuesit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) merr të enjten e 24 shtatorit në pyetje ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni dhe dy të arrestuarit e tjerë.

GJKKO ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me ecurinë e procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, në kuadër të të cilit janë nën hetim ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani.

Sipas njoftimit, më 23 shtator Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pranë gjykatës kërkesat për marrjen në pyetje të tre personave nën hetim.

Në njoftimin zyrtar thuhet se procedimi penal ka ngjallur interes të lartë publik dhe mediatik, ndërsa për secilin prej të hetuarve janë përcaktuar edhe veprat penale për të cilat dyshohen.

“Nisur nga me interesin i lartë që ka në publik dhe në media procedimi penal nr. 20/1, i vitit 2025, në ngarkim të personave në hetim Vlora Hyseni, e dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1, të Kodit Penal; Fatjon Kalluçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a/1, i Kodit Penal dhe Embro Sulejmani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 302/2, i Kodit Penal, ju njoftojmë se”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

GJKKO bën me dije se ndaj Vlora Hysenit është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani janë nën masën e sigurimit “arrest në burg”.

“Më datë 23.09.2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë gjykatës kërkesat për marrjen në pyetje të personave në hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ dhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’”, thuhet më tej në njoftim.

Gjykata ka përcaktuar edhe oraret e seancave ku të hetuarit do të pyeten lidhur me procedimin penal dhe veprat për të cilat dyshohen.

Në orën 09:00 të datës 24 shtator 2026 do të zhvillohet seanca për marrjen në pyetje të Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit, ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohet seanca për marrjen në pyetje të Vlora Hysenit.

Kështu, ish-drejtuesja e SHISH-it do të paraqitet nesër para GJKKO-së, disa orë pas nisjes së seancës për dy personat e tjerë nën hetim në kuadër të të njëjtit procedim penal.

Të Ngjashme