Lajme

Vlora Hyseni në arrest shtëpiak, Bytyçi: Shkarkimi i saj ngre pikëpyetje

Profesori Enver Bytyçi ka komentuar rastin e Vlora Hysenit, duke theksuar se pas vendimit të SPAK-ut dhe GJKKO-së për arrest shtëpiak, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH-it.

Bytyçi ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si u bë ky shkarkim, duke theksuar se drejtori i SHISH-it shkarkohet me dekret të presidentit, me propozim të kryeministrit.

“Vlora Hyseni u shpall sot si fajtore për dy akuza kriminale. SPAK dhe GJKKO vendosën masën e pezullimit nga detyra dhe të arrestit shtëpiak për kreun e shërbimit sekret të Shqipërisë, zonjën Hyseni.

E shkarkuar nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Kosovës nga detyra e zv, shefes së shërbimit sekret të Kosovës, atë e mori Edi Rama si këshilltare për sigurinë (kuptohet për marrëdhëniet Rama-Vuçiq) dhe më pas e bëri drejtoreshë të SHIK.

Disa orë pas shpalljes së masës së arrestit, kryeministri Rama njoftoi nga Nju Jorku shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra, duke marrë edhe kompetencat e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj. Kreu i SHIK në Shqipëri shkarkohet me dekret të presidentit dhe me propozim të kryeministrit. Kryeministri nuk tha se i propozon presidentit shkarkimin e saj, por tha se “e shkarkon drejtoren e SHIK-ut të Shqipërisë”!”, ka thënë ai.

Bytyçi ka ngritur dyshime edhe për arsyen e shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it. Sipas tij, ky vendim mund t’i hapë rrugë Hysenit që të largohet nga Shqipëria dhe të mos kthehet më, duke shtuar se “kjo logjikë do të provohet shumë shpejt”.

Pse ndodhi kësisoj? Sepse shkarkimi i zonjës Vlora Hyseni i duhet Edi Ramës me qëllim që ajo të jetë e lirë të mos kthehet në Shqipëri. Pra të arrartiset nga Shqipëria. Këtë akt ajo mund ta bëjë vetëm nëse shkarkohet ose lirohet nga detyra që ka. Kjo logjikë do të provohet shumë shpejt! Vetëm në një ose dy ditët e ardhshme” – deklaroi ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është liruar nga detyra nga kryeministri Edi Rama, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për caktimin ndaj saj të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimit nga detyra.

Vendimi ndaj Hysenit është marrë në kuadër të një hetimi të SPAK-ut, ku ajo dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Hetimi lidhet me procedimin penal për dosjen e AKSHI-t.

Të Ngjashme