Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasësit hynë brenda rrethimit dhe i bënë pritë në derën e shtëpisë, si u ekzekutua Gentjan Bejtja! Ish-polici i kishte shpëtua tri atentateve, disa muaj më parë i vranë kunatin

Afër mesnatës së 4 korrikut 2023, disa persona të armatosur sulmuan automjetin e Gentjan Bejtjas sapo hyn në oborr. Brenda mjetit ndodheshin dy fëmijët e tij bashkë me dajën e tyre.

Sapo nis breshëria, daja Ramazan Sino zbret nga mjeti dhe breshëria e kallashnikovëve i merr jetën. Vrasësit largohen, por me sa duket nuk kishin arritur objektivin e tyre. Për fat, fëmijët dy djem të mitur, shpëtuan.

Bejtja u largua për të mos u parë më deri pasditen e djeshme, ku sërish vrasësit janë më vigjilentë se policia; e ruajnë dhe i futen brenda rrethimit të shtëpisë. Atentatorët e qëlluan me breshëri duke i marrë jetën. Me të në shtëpi, në ato momente ishte vetëm e ëma. Ndërkohë rreth 1 km larg policia gjeti fuoristradën e autorëve në flakë, brenda së cilës ishin lanë edhe katër armët që i morën jetën Gentjan Bejtjes.

Policia e Shtetit bëri me dije se po kryhen të gjitha veprimet hetimore, ndërkohë mësohet se kanë nisur edhe shoqërimet e para për personat e dyshimtë dhe ata që mund të kenë dijeni për rrethana e ngjarjes së rëndë. Të dhënat tregojnë se në shtëpi nuk ka qenë asnjë person tjetër, pasi familja e Gentjanit është larguar, ndërsa e ëma ka qenë duke punuar në kopsht, në pjesën e pasme të banesës.

Nga hetimet e para mësohet se autorët kanë hyrë brenda rrethimit të banesës dhe e kanë pritur sapo ai ka hyrë në shtëpi nga një derë e pasme që e lidhte me kopshtin. Verifikimet dhe hapja e kamerave të sigurisë ka qenë hapi i parë që ka ndërmarrë grupi hetimor, ndërkohë që policia pritet të shoqërojë personat problematikë të zonës, të cilët kanë pasur konflikte të herëpashershme me viktimën e djeshme.

NGJARJA

Gentian Bejtja, ish-efektiv policie dhe eksponent i njohur i botës së krimit, është ekzekutuar në banesën e tij. Një atentat i mirorganziuar i mori jetën ish-policit të Burgjeve, ndaj të cilit u derdhën breshëri kallashnikovësh. Shënjestra e djeshme tri herë u shpëtoi atentateve, por rivalët e tij duket se e kishin mbajtur në survejim dhe kanë vepruar kur Bejtja arriti në shtëpinë në Fushë-Krujë.

Pasi dyshohet se janë derdhur plot 4 karikatorë kallashnikovi, autorët janë larguar pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. Pak pas vrasjes, mjeti i tyre tip “Land Rover” u gjet i shkrumbuar në fshatin Hasan, ku brenda të cilit ndodheshin edhe 4 armët e krimit. Policia dyshon se të paktën 4 persona kanë marrë pjesë në vrasjen e Bejtjas, por do të jetë grupi hetimor që do zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes. Forca të shumta policie dhe RENEA kanë rrethuar zonat e Fushë-Krujës në kërkim të autorëve, por deri orëve të vona nuk u bë me dije ndalimi i ndonjë të dyshuari.

Gentian Bejtja u ka shpëtuar tri atentateve më parë. Në korrik 2023 i zunë pritë bashkë me dy fëmijët dhe kunatin Ramazan Sino, i cili humbi jetën. Bejtja ishte një person i njohur për policinë, me precedentë në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës.

ATENTATI I KORRIKUT

Për ngjarjen e rëndë të katër korrikut, policia shoqëroi Valter Bamin, vëllanë e Durim Bamit, një nga eksponentët me të njohur në vend. Shoqërimi i tij u bë për shkak se iu gjetën mbetje baruti në duar, por ai mohoi të kishte marrë pjesë në atë ngjarje, por se mbetjet i kishte nga hedhja e fishekzjarrëve për ditëlindjen e motrës së tij. pas shoqërimit u la i lirë dhe pas dy ditëve ai u arrestua.

Ai aktualisht ndodhet në arrest shtëpie dhe sipas të dhënave do të jetë një nga personat që do të jetë nën fokusin e hetimeve për të shkuar tek ekzekutorët e Bejtjas.

Valter Bami ndodhej në arrest shtëpie, që prej 18 Janar të këtij viti, por gjykata vendosi ndaj tij masën arrest në shtëpi, pasi ka përfundoi afati 6 mujor i hetimeve dhe nuk u provuan dot dyshimet për implikim në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas. Valter Bami, u arrestua me 6 korrik 2023 për armëmbajtje pa leje dhe si i dyshuar për atentatin ndaj Bejtjas