Lajme

Vrasja e 25-vjeçares shtatzënë në Malishevë, krejt çka dihet deri më tani

Një ngjarje e rëndë ka tronditur të dielën mbrëma fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën pasi është plagosur me armë zjarri.

Rasti ka ndodhur më 23 gusht, rreth orës 23:20. Policia është njoftuar për të shtëna dhe plagosje me armë zjarri dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi ka gjetur çiftin bashkëshortor me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Të dy të plagosurit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Megjithatë, rreth orës 01:10, Policia është njoftuar se gruaja ka ndërruar jetë në QKUK, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.

Viktima ishte 25-vjeçare dhe në javën e 34-të të shtatzënisë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen, ndërsa edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit. Ai vazhdon të trajtohet në QKUK dhe, sipas njoftimit të fundit, ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i 25-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të siguruar provat që do të ndihmojnë në dokumentimin e rastit.

Pas rastit tragjik ka reaguar edhe u.d. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ajo ka shprehur tronditjen për vrasjen e 25-vjeçares shtatzënë, duke thënë se një shoqëri nuk mund të konsiderohet e sigurt përderisa gratë nuk ndihen të sigurta as në shtëpitë e tyre.

Haxhiu ka kërkuar që institucionet e drejtësisë ta zbardhin plotësisht rastin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme.

Ajo ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private dhe se institucionet duhet të reagojnë pa vonesë.

Rasti në Kërvasari mbetet nën hetim, ndërsa bashkëshorti i viktimës, i cili dyshohet për veprën, vazhdon të jetë nën trajtim mjekësor në gjendje kritike.

Të Ngjashme