Aktuale

Vrasja e Urim Fikut: Hetimet rrëzojnë dëshmitë e bashkëshortes dhe djalit të viktimës

Rrethanat e vdekjes së 62-vjeçarit Urim Fiku, ngjarje e ndodhur më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, vijojnë të zbardhen nga grupi hetimor, ndërsa prova të reja kanë rrëzuar dëshmitë e bashkëshortes dhe djalit të viktimës.

Nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku, u dolën përpara Gjyskatës së Dibrës ku mohuan autorësinë e krimit, duke pretenduar fillimisht se 62-vjeçari u sulmua nga një kafshë e egër (ari) dhe më pas se ai kishte qëlluar veten me pistoletë në oborrin e banesës në kushte të tronditjes psikologjike. Gjykata e vlerësoi të pabesueshëm këtë version dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy të dyshuarit.

Gjatë këqyrjeve të mëtejshme të terrenit nga hetuesit, në një distancë 500 deri në 600 metra larg shtëpisë u gjetën edhe disa gëzhoja të tjera pistolete tip TT. Këto prova kanë orientuar hetimet drejt pistës se 62-vjeçari është ndjekur nga larg duke u qëlluar disa herë, derisa marrja e goditjes fatale ka ndodhur pranë oborrit të shtëpisë.

Gëzhojat e gjetura së fundmi i janë nënshtruar ekspertizës balistike pranë Policisë Shkencore në Tiranë. Ndërkohë, djali i viktimës, Gazmir Fiku, ka pretenduar se gjatë orëve të ngjarjes ndodhej në zyrën e tij në OSHEE në Bulqizë, pretendim i cili po verifikohet nga hetuesit me pamjet filmike dhe provat e administruara në vendngjarje.

Të Ngjashme