Vrasje me thikë ndodhi pak minuta më parë me pasojë vdekjen e një burri kurse autor i dyshuar është një djalë i ri.
Ngjarja ndodhi sonte rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, raporton noa.al.
Policia konfirmoi se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve Meklan Meçe, rreth 25 vjeç, dhe Rrapush Memolla, rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, u përdorën mjete prerëse.
Shtetasi Rrapush Memolla u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi Meklan Meçe u plagos në dorë.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin Meklan Meçe.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
