Gjykata e Kasacionit në Itali ka dënuar me 30 vite burg 41-vjeçaren shqiptare, Elona Kalesha, e shpallur fajtore për vrasjen e dyfishtë të Teuta dhe Shpëtim Pashos, prindër të partnerit të saj të asaj kohe.
Ngjarja e rëndë daton në nëntor të vitit 2015, kur çifti u zhduk në mënyrë misterioze, vetëm një ditë përpara lirimit nga burgu të djalit të tyre, Taulant Pasho, i cili mbahej në institucionin penitenciar të Solliccianos për akuza të lidhura me drogën.
Trupat e viktimave u zbuluan pesë vite më vonë, të copëtuar dhe të fshehur në katër valixhe, të braktisura në një zonë fushore mes rrugës Fi-Pi-Li dhe burgut të Solliccianos, duke tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri.
Sipas hetimeve, autorja dyshohet të ketë vepruar për disa motive. Një prej tyre lidhet me përfitime financiare, pasi viktimat mbanin me vete një shumë të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se rridhnin nga aktiviteti i paligjshëm i djalit të tyre. Prokuroria pretendon se një pjesë e këtyre parave u përdor nga Kalesha për të shlyer një borxh prej 20 mijë eurosh ndaj partnerit të saj.
Një tjetër pistë hetimore lidhet me motive personale. Dyshohet se prindërit kishin zbuluar një shtatzëni të Kaleshës, të cilën ajo e kishte ndërprerë pak ditë para krimit në spitalin Careggi, çka mund të ketë shtyrë drejt aktit ekstrem.
