Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për RTS lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke deklaruar se situata për komunitetin serb do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë”.
“Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ne. Albin Kurti ka filluar të gjuajë serbët… Dhe ka filluar të arrestojë serbët më të shquar…”, tha Vuçiq, duke shtuar se këto veprime, sipas tij, lidhen edhe me persona brenda institucioneve kosovare.
Ai theksoi se Serbia do të mbështesë Listën Serbe në këto zgjedhje, duke e quajtur këtë një prioritet politik të Beogradit.
“Ne do ta mbështesim Listën Serbe me gjithë forcën tonë, ne do të luftojmë për pozicionet e popullit serb”, u shpreh Vuçiq, duke shtuar se, sipas tij, pala shqiptare do të tentojë të dobësojë përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë.
Në deklaratën e tij, Vuçiq u ndal edhe te çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ZSO), duke e cilësuar atë si një obligim të pazbatuar nga marrëveshjet e mëparshme.
“Absolutisht ZSO, u nënshkrua më 19 prill 2013. Por është edhe mbijetesa e popullit tonë”, tha ai.
Presidenti serb pretendoi gjithashtu se Serbia po përballet me presione të vazhdueshme politike, ndërsa kritikoi edhe qëndrimet e vendeve të rajonit për çështjen e Kosovës dhe raportet me Beogradin.
Ai komentoi edhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë propozimet e BE-së dhe marrëdhëniet me Ukrainën, duke vlerësuar se Evropa po aplikon standarde të ndryshme ndaj vendeve të ndryshme të rajonit dhe Evropës Lindore.
Në fund, Vuçiq theksoi se Serbia do të vazhdojë politikën e saj të neutralitetit ushtarak dhe partneritetit me vende si Kina dhe Rusia, ndërsa paralajmëroi investime të reja ekonomike dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tij, zgjedhjet në Serbi mund të mbahen në periudhën “nga shtatori deri në nëntor”.
