Një operacion i koordinuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin dhe asgjësimin e 7,446 bimëve të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa në fshatin Reç i Ri, i cili ndodhet nën juridiksionin e Njësisë Administrative Velipojë.
Ndërhyrja u realizua pas një sinjalizimi të mbërritur në rrugë elektronike te kreu i Policisë së Shtetit.
Për shkak se kultivimi ishte shtrirë në një territor të hapur fushor dhe lehtësisht të verifikueshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka urdhëruar masa të menjëhershme administrative ndaj strukturave përgjegjëse për monitorimin e zonës.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim të thelluar administrativ për të përcaktuar shkallën e mospërmbushjes së detyrës nga ana e punonjësve lokalë të policisë.
Deri në përfundim të procedurave verifikuese, janë pezulluar nga detyra tre zyrtarë.
“Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe çdo forme të paligjshmërisë është prioritet i Policisë së Shtetit. Çdo rast do të trajtohet me vendosmëri maksimale dhe pa asnjë kompromis,” thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.
Përveç zyrtarëve të pezulluar, procedimi disiplinor ka përfshirë edhe dy anëtarë të tjerë të grupit të kontrollit të territorit në atë zonë, të cilët po hetohen pa u shkëputur nga funksionet e tyre aktuale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar zyrtarisht pas operacionit të Policisë së Shtetit në Velipojë, ku u evidentuan mijëra rrënjë të dyshuara si kanabis sativa.
Përmes një deklarate, kreu i dikasterit të Brendshëm ka mbështetur masat e marra për pezullimin e zyrtarëve lokalë të policisë dhe ka kërkuar një hetim të thelluar mbi dështimin e monitorimit të territorit.
Lamallari ka urdhëruar përfshirjen e menjëhershme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të verifikuar nëse ka pasur elementë të shpërdorimit të detyrës apo bashkëpunimit pasiv nga ana e uniformave blu.
Në reagimin e tij, ministri vuri theksin te nevoja për një hetim administrativ dhe penal pa kompromise, duke sqaruar se lehtësia e verifikimit të zonës fushore ku ishte mbjellë lënda narkotike kërkon llogaridhënie të prerë institucionale.
“Kam kërkuar që në çdo rast të tillë të garantohet koordinim i plotë dhe i menjëhershëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në mënyrë që verifikimi i fakteve, hetimi administrativ dhe llogaridhënia institucionale dhe ligjore të zhvillohen me profesionalizëm, efektivitet dhe zero kompromis.”
Operacioni i cili nisi pas një sinjalizimi të ardhur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm, u vlerësua nga ministri si një tregues i rëndësisë që ka bashkëpunimi i komunitetit me strukturat ligjzbatuese.
Lamallari rikonfirmoi se kuadri i masave ndaj kultivimit të narkotikëve mbetet prioritet strategjik i Ministrisë së Brendshme, duke paralajmëruar penalizime për këdo që dështon në kontrollin e zonave nën juridiksion:
“Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë mbetet një prioritet i pandryshueshëm i qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia kur dështon të përmbushë detyrën që i është besuar.”
Deri më tani, si pasojë e këtij rasti, janë pezulluar nga detyra Shefi i Komisariatit Shkodër, Shefi i Stacionit Velipojë dhe Ndihmësspecialisti i zonës, ndërsa procesi i verifikimit vazhdon në nivel disiplinor dhe penal./rtsh.al/
