Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky ‘alarmoi’ me paralajmërimin për Ballkanin, zbardhet prapavija e mesazhit – kërkohet veprim urgjent nga ndërkombëtarët

 
   

Ditë më parë, Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina. 

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, lideri ukrainas tha se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë. 

“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai. 

Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky. 

Kjo thirrje e të parit të Ukrainës nxiti reagime të mëdha, kjo duke aluduar se paralajmërimi i tij për kriza në Ballkan, lidhet me raportet e tensionuara Kosovë-Serbi. 

Po ashtu, duke marrë parasysh marrëdhënien e ngushtë të shtetit serb me Rusinë, në një mënyrë veçse e vërteton një gjë të tillë. 

Analistët për “Bota sot” folën mbi mundësin e një krize apo lufte mes Kosovës dhe Serbisë duke u bazuar në parashikimin e Zelenskyt. 

Mehazi: Rreziku i përhapjes së luftës në Ballkan dihet se është Serbia e Rusisë 

Së pari, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi kërkoi që paralajmërimi i Zelenskyt të merret seriozisht. 

 Image
 Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi 
 

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se duke marrë parasysh se Zelensky jeton e vepron në gjendje lufte, mund të thuhet se informacionet e tij ka gjasa të jenë shumë të sakta. 

“Paralajmërimet e liderit ukrainas, Volodymyr Zelenky, se duhet pasur kujdes për përhapjen e një fronti të ri luftarak në Ballkanin Perëndimor duhet marrë seriozisht pasi kjo deklaratë vjen nga personi që më shumë se një vjet  jeton e vepron në gjendje lufte dhe se informacionet e presidentit të Ukrainës mund të jenë të sakta e reale, vetë ngjarjet luftarake ruse- ukrainase dhe palestineze -izraelite japin shenja ogure se bota njerëzore është në krizë mentale e humane pikërisht nga udhëheqësit shtetëror e politikë të cilët janë jashtë humanes e njerëzores, paqes e rahatisë e më afër luftërave e vrasjeve”, deklaroi analisti. 

Sipas tij, Zelensky me deklaratat e tij u dërgoi mesazhe të qarta BE-së dhe SHBA-së për rrezikun e përhapjes së një fronti të ri lufte në Ballkan. 

“Se sa Kosova e Ballkanit Perëndimor ishte në rrezik lufte u pa në Banjskë, ku Kosova u sulmua nga terroristët serbë që fatmirësisht shpëtoi për shkak përgatitjes së madhe profesionale të policisë së Kosovës, kështu që porosia dhe kujdesi i presidentit të Ukrainës, Zelenski, është ndaj BE-së e SHBA-ve të cilët e miklojnë Serbinë ruse për të kallur një luftë tjetër në tre-katër shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe RMV. Paralajmërimi i Zelenskit është që nëse BE-ja e SHBA-te nuk janë serioz dhe të ashpër ndaj Serbisë atëherë me siguri do përhapet dhe një front tjetër i luftës në katër shtetet e Ballkanit”, shpjegoi ai. 

Ndër të tjera, analisti potencoi faktin se rreziku kryesore për një luftë të re në Ballkan, vjen nga Serbia. 

“Rreziku i përhapjes së luftës në Ballkan dihet se është Serbia e Rusisë, nëse evropianët dhe amerikanët nuk marrin masa preventive ndaj Serbisë, atëherë mund të dalin fjalët e presidentit të Ukrainës, Zelenski, për një front serbe-ruse në Kosovë, në Mal të Zi që pas zgjedhjeve parlamentare qeverinë malaziase e kanë serbo-rusët dhe Bosnjë-Hercegovinë, po do ketë edhe një luftë të bredshme shqiptare-maqedonase në RMV”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

Qarri: Marrëveshja Kosovë-Serbi, duket aq afër, nëse Serbia vërtetë, ka për qëllim, që me ndihmën, apo shtytjen e Rusisë t’i jetësoj projektet dhe idetë e saj hegjemoniste-serbomëdha 

Ndërsa, edhe analisti politik, Gani Qarri e komentoi paralajmërimin e liderit ukrainas. 

 Image
 Analisti politik, Gani Qarri 
 

Sipas tij, BE dhe SHBA duhet të tregojnë kujdes të shtuar në rajonin tonë, pasi vërehet qartë involvimi i Rusisë në këtë pjesë. 

“Në një interviste të dhënë këto ditë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, bazuar në informacionet që posedon, tërhoqi vërejtjen që t’i kushtohet vëmendje më e madhe Ballkanit Perëndimor, pasi që Rusia, po bënë përpjekje të nisë edhe një luftë, në këtë rajon, për ta larguar vëmendjen e SHBA-ve dhe vendeve Evropiane nga Ukraina. 

Andaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, në mënyrë që ky rast të mos përsëritet, si dhe të mos shpërthejnë konflikte të reja edhe në vende tjera si Bosnja e Mali i Zi, ku Serbia është aq thellë e involvuar, në të gjitha zhvillimet, BE dhe SHBA duhet të tregojnë medoemos, kujdes të shtuar dhe shumë më të madh në Ballkan, sepse pas Lindjes së Mesme, në radhë pritet të jetë Ballkani, pasi që siç dihet, Rusia është e përfshirë në mënyrë direkt dhe indirekte në planifikimin dhe shpërthimin e konflikteve të ndryshme, që nga Lindja e mesme, deri në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh analisti. 

Gjithashtu, Qarri tha se konflikti përveç Kosovës, mund të nisë edhe në Bosnjë apo Mal të Zi. 

Ai nuk e ndërlidhi domosdoshmërisht thirrjen e Zelenskyt për luftë me shpërthimin e një konflikti Kosovë-Serbi. 

“Megjithëse kjo nuk do të thotë apriori, se konflikti sërish, duhet medoemos të nisë në Kosovë, ai ka mundësi të fillojë, themi, në Bosnje e Hercegovinë, apo edhe Mal të Zi, me një orkestrim në dukje të parë, si një “revolucion paqësor”, nën parullat për bashkimin në një shtet të “vëllazërisë” serbe me atë malazeze”, për gllabërimin e këtij vendi, kur dihet se atje, tanimë presidenca, qeveria dhe parlamenti i Malit të Zi, udhëhiqen nga udhëheqës serb dhe pro-rus të urryer, në mënyrë që Serbia të sigurojë daljen në Detin Adriatik, për tu zgjeruar pastaj edhe në Bosnje me bashkimin “vullnetar” të të ashtuquajturës “republika srpska”, deri te veriu i Kosovës, në mënyrë që të gjitha këto pjesë të territoreve të okupuara, të aneksohen dhe mbi to, të thirret krijimi i “Serbisë së madhe”!” – vlerësoi ai. 

Në fund, analisti nuk i hodhi poshtë qëllimet e Serbisë për realizimin e projekteve hegjemoniste-serbomëdha. 

Ai parashikoi se një konflikt mund të shpërthej nëse ndërkombëtarët nuk marrin masa ndëshkuese. 

“Dhe sado që marrëveshja Kosovë-Serbi, duket aq afër, nëse Serbia vërtetë, ka për qëllim, që me ndihmën, apo shtytjen e Rusisë t’i jetësoj projektet dhe idetë e saj hegjemoniste-serbomëdha, ajo do të shtyhet dhe zhargitet nga Vuçiqi, deri në realizimin e tyre, edhe konflikti mund të shpërthejë, po që se shërbimet shtetërore serbo-ruse, nuhatin mundësitë e përmbushjes së këtyre planeve, pa kundërshtime të mëdha të vendeve perëndimore dhe SHBA-ve, që është edhe qëllim i Rusisë, për shpërqendrimin e Perëndimit dhe pamundësinë e dërgimit të ndihmave, në shumë pika, dhe jo, si deri më tani, që SHBA dhe BE përkujdeseshin, vetëm për mbarëvajtjen e mbrojtjes dhe të luftës në Ukrainë, duke i shkaktuar ushtrisë okupatore ruse, kokëçarje të mëdha”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.