Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, pas përfundimit të zhvillimeve me tensione mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të LVV-së në ndërtesën e Kuvendit, është deklaruar përmes një statusi në Facebook.
Ndonëse nuk i ka përmendur zhvillimet e sotme, ai tha se bllokada institucionale po bëhet qëllimshëm nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Bllokada e qëllimshme nga VV. Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë”, tha Zemaj.
Ai shtoi se “ky mentalitet i stërvjetëruar nuk i duhet Kosovës. Shumica e ka obligim të thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respekt të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve”.
“Marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët. Demokracia kërkon dialog, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë”.
“Ata që heshtin dhe pranojnë këtë lloj politike, nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës”, potencoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Veç Zemajt, ka reaguar edhe kolegu i tij nga partia, Arben Gashi.
