Lajme

​25 vjet burgim Egzon Shaltit për vrasjen e Auron Ferizit vitin e kaluar në Viti

Gjykata Themelore në Gjilan shpalli aktgjykim dënues ndaj Egzon Shaltin i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit, më 8 nëntor 2025 në Viti.

Të akuzuarit i shqiptohet edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Sipas Gjykatës, i pandehuri kreu veprën në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, shkaku i mosmarrëveshjes së mëhershme me të dëmtuarin V.G., raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më datë 08.09.2025 rreth orës 20.29, në sheshin “Bafti Haxhiu” në rrugën “Hasan Kabashi” në Komunën e Vitisë, i pandehuri E. Sh., në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. F., duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve M. A., dhe të miturit E. S., A. S. e V. G”, thuhet në njoftim.

E.Sh., ngarkohet se me veturë goditi A.F., dhe të dëmtuarit V.G., A.S., E.S., dhe M.A. Por, shkaku i lëndimeve nuk mbijetoi A.F.

“Përderisa ishte duke drejtuar veturën e tij të markës ‘’Opel Insignie’’, nga rruga e fshatit Kabash në drejtim të Vitisë dy herë radhazi shkon deri afër tavolinës ku ishin të dëmtuarit duke iu vërsul me veturë, mirëpo nuk i godet dhe herën e tretë përsëri përderisa me veturë vie nga rruga e fshatit Kabash në drejtim të Vitisë, sapo i sheh të dëmtuarit V. G., M. A., A. S., E. S. dhe tani të ndjerin A. F. që ishin duke qëndruar në një tavolinë në afërsi të pllatosë në sheshin ‘’Bafti Haxhiu’’ para banesës kolektive, devijon rrugën nga shiriti i djathtë i lëvizjes në shiritin e majtë, rrit shpejtësinë e lëvizjes së veturës duke shkuar në drejtim të dëmtuarve ku me pjesën e përparme të veturës godet direkt të dëmtuarit, që si pasojë të dëmtuarit V. G., A. S. dhe E. S. pësojnë lëndime të lehta trupore, ndërsa M. A. pëson lëndime të rënda trupore, ndërsa tani i ndjeri A. F., për shkak të natyrës së rëndë të dëmtimeve trupore dhe gjendjes së rëndë shëndetësore, transferohet në repartin intenziv në QKUK në Prishtinë, por nuk mund ti mbijetojë plagëve dhe më datë 10.09.2025 ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

Më këto veprime i pandehuri E.Sh., akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore”.

Sipas njoftimit, trupi gjykues pas shtjellimit të të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit E.Sh., i shqipton dënim në kohëzgjatje prej 25 vjet burgim. Krahas dënimit me burgim, i shqiptohet edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor. Si dhe i merret leja e vozitjes për 5 vjet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

“Gjithashtu ndaj të akuzuarit shqiptohet edhe dënimi plotësues – marrja e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh, e cila merret kur ky aktgjykim të merr formën e prerë derisa koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi”, njofton Gjykata.

Gjykata ka arsyetuar edhe caktimin e dënimit prej 25 vjet burgim për të akuzuarin.

“Trupi gjykues me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka marr parasysh rënduese dhe lehtësuese dhe ka përcaktuar dënimin me burgim prej 25 vitesh e jo dënimin me burgim të përjetshëm, meqenëse ndaj personave të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale janë nën moshën 21 vjeç dhe atyre që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë në aftësi esencialisht të zvogëluar mendore, siç ishte rasti i të akuzuarit është e ndaluar një gjë e tillë ashtu siç përcaktohet në nenin 41 paragrafi 3 të KPRK-ës ku theksohet që “Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushur njëzetenjë (21) vjet ose personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore””, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit i vazhdohet masa paraburgimit derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Të Ngjashme