Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar ofertat konkrete që i ka bërë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza për tejkalimin e bllokadës politike për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, për tejkalimin e bllokadës politike duhet të bëhet një “rokadë” në mes të pozitave.
Kurti: Opozitës i ofrova të bëhej një rokadë, ata e refuzuan
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së që të bëhet një rokadë ndërmjet kryetares aktuale Albulena Haxhiu dhe nënkryetarit të PDK-së Vlora Çitaku. Lirisht PDK-ja ta bëj Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun kryetar i Kuvendit dhe Albulena Haxhiu të bëhet nënkryetare e Kuvendit”, tha ai
Kurti shtoi se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë më shumë vota se disa nga liderët e partive opozitare, kështu që sipas tij VV-së duhet të i takon pozita e presidentit.
Në raport me LDK-në, ai tha se ka ofruar mundësi për përfshirje në qeveri.
Unë i kam thënë Abdixhikut ‘eja lirisht në vend të Glaukut edhe ecim përpara’, theksoi Kurti
“A e dini për shembull që unë i kam thënë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, ‘eja lirisht në vend të Glaukut edhe ecim përpara’. A Glauku ka gati katërfish më shumë vota se Lumir Abdixhiku. Pra proporcionet janë drastike. Oferta jonë është shumë gjeneroze. Ama, nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuase është viti 2025, kur e mbani mend me atë seancën nuk votoi Albulena Haxhiu. Ka kalu viti 2025, është viti 2026”, tha ai.
Megjithatë, ai është shprehur i habitur që opozita i ka refuzuar këto propozime.
Kurti: Si është e mundshme që opozita i refuzoi ofertat
“Si është e mundshme që i refuzuan. Jo, neve na e ka thënë paraprakisht që ne nuk mund të bashkëqeverisim sepse ju nuk mund t’i keni të tri pozitat. Epo, nëse s’mund t’i kemi tri pozitat, ja po i kemi vetëm dy. Plus që presidenti kur zgjidhet s’mund të jetë anëtar i partisë. Pra, nëse do ta kishin kryetarin e Kuvendit, nuk do t’i kishim tri pozitat. Edhe, mos harroni, me datën 3 shkurt të vitit 2020 kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ia ka liruar vendin Vjosa Osmanit. E kemi bërë edhe më herët këtë rokadën”, deklaroi Kurti
Ndërkaq i pyetur Kurti se pse është e rëndësishme për të pozita e presidentit, ai thotë se partitë e tjera nuk i kanë votat për të i mbledhur nënshkrimet.
Kurti: Ata nuk i kanë votat me ja mbledh nënshkrimet një kandidati
“Ata nuk i kanë votat me ja mbledh nënshkrimet një kandidati. 22 deputetë nuk mjaftojnë me aplikua. Një moment me ja dhënë atij, nuk ja ka dhënë populli. Si me ja dhanë unë kur nuk ja ka dhënë populli. Demokracia nënkupton vullnetin e popullit, populli në qëndër jo pazari, unë jam tepër gjeneroz duhet të i pyesni ata si është e mundur se me ata numrat që ui kanë të bëjnë këto refuzime”, tha ai.
Ndërkaq, sot kur jemi rreth një javë para përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së, janë se konsiderojnë të përmbyllur kontributin e tyre në procesin e zgjedhjes së presidentit. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi i Kosovës, është 28 prilli.
