Lajme

Zgjedhje e reja në prag, vjen thirrja për këtë ‘emër’: Pranoni kandidaturën, shpëtoni Kosovën

Edhe një javë që nga përfundimi i afatit ligjor për formimin e presidentit/es të Kosovës dhe tashmë LDK e PDK “ia kanë kthyer shpinën” Lëvizjes Vetëvendosje.

Të hënën në orët e pasdites u mbajt takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, ku palët nuk gjetën një marrëveshje, madje pas takimit kanë përmendur edhe zgjedhjet e reja.

“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, ka thënë Kurti duke paralajmëruar se vendi rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa, pak orë pas takimit Kurti- Abdixhiku dhe pak orë pas deklarimit të kryeministrit Kurti se i ka dërguar mesazh edhe PDK-së për takim me kreun e saj, Bedri Hamzën, erdhi përgjigjja që “PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për procesin e presidentit”.

“Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Duke parë këto zhvillime, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, rikthen në qendër të vëmendjes ‘nevojën’ që Murat Jashari të bëhet president.

Muçiqi duke folur për “Bota sot”, kërkon që përgjegjësinë e presidentit ta marrë familja Jashari.

“Si pjesëtar i shoqërisë civile, si gazetar me përvojë shumëvjeçare dhe si veprimtar e drejtor i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Humanikos”, ju bej apel familjes Jashari, përkatësisht Murat Jasharit, që, për nder të shtetit dhe popullit të Kosovës, të pranoni kandidaturën për t’u bërë President i Republikës së Kosovës në këto momente të bllokimit institucional. Është dëshmuar historikisht se atdheu është djep që rrit heronj për ta shpëtuar kombin kur ai gjendet në rrezik. Familja juaj e dëshmoi këtë gjatë luftës së fundit, duke derdhur gjakun për çlirimin e atdheut. Ky gjak i derdhur nga anëtarët e familjes suaj i vuri themelet shtetit të ri të Kosovës. Duke qenë i vetëdijshëm se Familja Jashari është simbol dhe institucion i sakrificës së madhe historike, si dhe një vlerë që duhet të qëndrojë brez pas brezi, ju bëj apel që, në këto ditë të vështira kur fati i Kosovës është vënë në pikëpyetje nga njerëz të papërgjegjshëm që kanë hyrë në politikë e po luajnë me fatin e shtetit dhe popullit, të merrni përgjegjësi për t’u bërë President i Republikës së Kosovës”, thotë gazetari.

Ai bën apel për sakrificë, madje sipas tij, shpresa është te ata.

“Në këtë kohë kur partitë politike, për herë të katërt radhazi, po e dërgojnë vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme, duke ndalur rrjedhën e historisë dhe ecjen përpara drejt shteteve të civilizuara që e kanë përqafuar prej kohësh demokracinë, ju bëj apel të dytë që të sakrifikoheni për ta shpëtuar vendin duke ndihmuar në zgjedhjen e institucioneve, të cilat me qëllim dhe vetëdije janë bllokuar nga liderët dhe deputetët partiakë për interesa personale e partiake. Kosova ju thërret në këtë kohë kur shtresa intelektuale ka humbur kredibilitetin, kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve është shndërruar në një shoqatë pasive të pensionistëve pa inovacion, kur Universiteti Publik dhe njerëzit e shkencës në përgjithësi po vrapojnë pas honorareve e përfitimeve, pa u angazhuar për ngritjen e cilësisë në sistemin e arsimit e edukimit. Kur Bota po pyet çka po ndodh me ne prandaj, e vetmja shpresë është që ju, edhe një herë, të sakrifikoheni në paqe dhe liri, në këto ditë të kaosit politik, kur e gjithë Bota po përballet me kriza të ndryshme financiare dhe ekonomike, e kur paqja dhe siguria janë vënë në pikëpyetje në gjithë planetin tonë. Ju bëj apel që të merrni përgjegjësi duke u kandiduar për President të Republikës së Kosovës”, shprehet Muçiqi.

Image
Ismail Muçiqi

Kandidatura e Jasharit do t’i zbehë epshet karrieriste të individëve dhe grupeve partiake e para partiake, thotë Muçiqi.

Sipas tij, është nder, krenari dhe përgjegjësi historike që në këtë situatë ta pranojnë kandidaturën.

“Kandidatura juaj, besoj fuqishëm, do t’i zbehë epshet karrieriste të individëve dhe grupeve partiake e para partiake që po ia gërryejnë themelet shtetit të Kosovës — shtetit për të cilin u derdh shumë gjak dhe u flijuan shumë të rinj e të reja për ta fituar lirinë dhe për ta ndërtuar si amanet të brezave të mëparshëm, si ideal kombëtar e historik i Kosovës. Sot, edhe pse jemi të lirë dhe të pavarur, ora e historisë sërish ju thërret që të merrni përgjegjësi për ta tejkaluar krizën që e kanë krijuar vetë njerëzit që po luajnë me fatin e shtetit dhe popullit të Kosovës. Në fund, është nder, krenari dhe përgjegjësi historike që në këtë situatë ta pranoni kandidaturën për t’u bërë President i Republikës së Kosovës, duke e shpëtuar shtetin nga përçarjet dhe krizat e njëpasnjëshme”, përfundon Muçiqi.

Të Ngjashme