Zgjedhjet e reja në Kosovë po mbahen në një klimë të thellë bllokade politike, ku mungesa e marrëveshjeve mes partive ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin institucional. Situata e krijuar ka prodhuar pasiguri dhe mungesë stabiliteti në jetën politike.
Në vend të një gare të bazuar në programe dhe vizione të qarta për zhvillimin e vendit, fushata zgjedhore është karakterizuar shpesh nga përplasje të ashpra dhe diskurs i polarizuar. Kjo ka ulur hapësirën për debat përmbajtësor.
Partitë politike, përfshirë edhe opozitën, nuk kanë arritur të ofrojnë një platformë të unifikuar apo një alternativë të qartë që do të adresonte ngërçin institucional. Kjo ka ndikuar që populli të përballet me një ofertë politike të fragmentuar.
Si rezultat, procesi zgjedhor po shihet më shumë si një vazhdim i tensioneve të vjetra politike sesa si një mundësi reale për ndryshim të qasjes së qeverisjes. Kjo situatë e zgjatur ka thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj klasës politike në përgjithësi.
Pa një ndryshim të qartë në kulturën e dialogut dhe në mënyrën e ndërtimit të kompromisit politik, mbetet e vështirë të pritet stabilitet afatgjatë institucional. Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjitha palët e përfshira në proces.
Në këtë kontekst, zgjedhjet e 7 qershorit shihen si një test për pjekurinë politike të gjithë spektrit, më shumë sesa një zgjidhje e menjëhershme e krizës.
E të gjendur në këtë situatë a ka gjasa që zgjedhjet e 7 qershorit mund të prodhojnë realisht një dalje nga bllokada politike, apo rrezikojnë vetëm ta riciklojnë të njëjtën krizë institucionale me aktorë të njëjtë?
Bajraktari: Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosbashkëpunimit të partive politike
Juristi Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë që zgjedhjet e 7 qershorit erdhi si pasojë e mosbashkëpunimit të partive politike për të pasur një emër të presidentit/es.

Ardian Bajraktari
“Zgjedhjet e 7 qershorit janë ekskluzivisht pasojë e dështimit të klasës politike për të gjetur zgjidhje, për të arritur marrëveshje dhe për t’i dhënë vendit president. Madje, ishte një rast i mirë që presidenti/ja të ishte figurë unifikuese, por kjo nuk ndodhi”, thotë ai.
Tutje ai nënvizon që ekziston mundësia që vendi të përballet sërish me krizë politike, mirëpo nëse ka kompromise mund të evitohet përsëritja e krizës.
“Diskursi mbetet tejet polarizues dhe, për aq kohë sa vazhdon të jetë i tillë, ekziston mundësia që vendi të përballet sërish me krizë politike. Megjithatë, mbetet të shihet.
Është esenciale dhe shumë e rëndësishme që klasa politike ta kuptojë se konsensusi dhe kompromisi janë pjesë përbërëse dhe të pashmangshme të demokracisë, madje vetë thelbi i saj”, përfundoi Bajraktari për “Bota sot”.
Tahiraj: Mendoj se gjuha polarizuese do të thellohet në ditët në vazhdim
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe veprimtari Saim Tahiraj.

Saim Tahiraj
Veprimtari pohon se polarizimi i shoqërisë shqiptare ka nisur që në vitet ’90 dhe është thelluar nga gjuha e ashpër politike dhe ndarjet “tradhtar–patriot”.
Ai gjithashtu pretendon se kjo kulturë politike, sipas tij e lidhur me ish-LPK dhe partitë pasuese, ka vazhduar edhe pas luftës dhe deri sot.
“Rezultati i gjithë kësaj katrahure bllokuese për ndërtimin e institucioneve shtetërore është gjuha e ashpër që e ka polarizuar skajshmërisht shoqërinë shqiptare. Burimi i gjithë kësaj është shumë më i hershëm; pikërisht ka filluar nga vitet ’90, kur u themeluan institucionet e Republikës së Kosovës, me në krye presidentin Rugova.
Ky helm linçues shpërndahej nga organizata politike e quajtur LPK. Ata mbollën farën e përçarjes duke i ndarë shqiptarët në tradhtarë dhe patriotë, vetëm e vetëm pse ishin përkrahës të institucioneve të udhëhequra nga presidenti Rugova. Ky linçim vazhdoi deri në fillimin e luftës, ku aq shumë u polarizua dhe armiqësua shoqëria shqiptare, saqë filluan vrasjet politike masivisht. Së pari linçoheshin figurat e caktuara politike dhe ushtarake, pastaj ekzekutoheshin.
Kjo dukuri nuk u ndërpre as pas luftës; përkundrazi, vazhdoi me intensitet të shtuar.
Pra, nuk ndryshoi asgjë në veprimin propagandues dhe polarizimin e shoqërisë, vetëm se tani nga disa fronte sulmohej LDK-ja me orientim perëndimor dhe pro-SHBA. Kjo kulturë politike u shndërrua në standard të këtyre partive politike dhe po vazhdon edhe sot e kësaj dite”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, veprimtari shton se gjuha politike do të ashpërsohet edhe më tej dhe u bën thirrje qytetarëve të votojnë me kujdes, duke e bazuar vendimin në vlerësimin e premtimeve dhe orientimeve politike të partive.
“Mendoj se gjuha polarizuese do të thellohet në ditët në vazhdim, sepse këta nuk dinë ndryshe; janë mësuar nga kjo shkollë ideologjike. Populli i Kosovës duhet të mendohet shumë mirë para se ta hedhë votën në kutinë e votimit.
Uroj që kësaj radhe populli e ka kuptuar drejt situatën dhe nuk do të mashtrohet nga “karamelet” dhe premtimet e Albin Kurtit, të cilat kurrë nuk i realizoi”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.
