Lajme

Zgjedhjet në prag: Deklarata të forta për pushtet, por kush e ka realisht epërsinë?

Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen këtë të diel, më 7 qershor. Fushata elektorale ka hyrë në fazën përmbyllëse, ndërsa partitë kryesore politike po intensifikojnë mesazhet e tyre për të bindur qytetarët në ditët e fundit para votimit.

Në këtë garë, të gjitha subjektet politike synojnë të dalin fituese dhe të marrin drejtimin e vendit pas zgjedhjeve. Pretendime të tilla po shprehin edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të cilat deklarojnë ambicie për qeverisje, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli forca më e madhe politike, duke siguruar mbi 50 për qind të votave të qytetarëve.

Ishte kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, i cili së fundmi deklaroi se partia e tij synon të dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit dhe të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Pretendime të tilla ka pasur edhe nga radhët e PDK-së, madje edhe të AAK-së, parti kjo e cila po vihet në pikëpyetje nëse do ta kalojë pragun zgjedhor.

Në këtë kontekst lindin disa pyetje thelbësore mbi dinamikën aktuale politike: sa realiste janë pretendimet e LDK-së dhe PDK-së për të marrë drejtimin e vendit? A po synojnë këto parti të krijojnë perceptimin e një gare të barabartë me LVV-në, pavarësisht diferencës së konsiderueshme në mbështetje elektorale? Dhe, më e rëndësishmja, a kanë arritur ato të ofrojnë një alternativë bindëse qeverisëse për qytetarët, apo strategjia e tyre mbetet kryesisht e fokusuar në kundërshtimin e kryeministrit Albin Kurti?

Në fund, mbetet për t’u parë nëse LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë realisht pushtetin mbi bazën e një mbështetjeje të mjaftueshme qytetare, apo nëse synimi i tyre kryesor është rikonfigurimi i perceptimit publik për balancat politike në vend.

Zogaj: Shpesh, një moment i caktuar mund të shndërrohet në kthesë të rëndësishme historike

E për këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj, i cili u shpreh se zgjedhjet janë një mundësi për fitore, mirëpo kjo bazohet edhe në vullnetin e qytetarëve, jo vetëm synimet e partive.

Image
Skënder Zogaj

“Zgjedhjet janë gjithmonë një mundësi për fitore dhe ky perceptim përbën standardin themelor të demokracisë, e cila u jep qytetarëve mundësinë të shprehen për mënyrën e qeverisjes së vendit. Në shtetet me traditë të konsoliduar demokratike, zgjedhjet janë një moment reflektimi që i tejkalon bindjet e ngurta politike dhe zgjeron mundësinë për zgjedhje të reja, sipas vullnetit dhe nevojave të qytetarëve”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj potencoi se shpesh një moment i caktuar kthehet në kthesë të rëndësishme historike.

Në këtë rast, përmendi edhe LVV dhe dominimin e saj në skenën politike në Kosovë.

“Populli nuk mund të mbetet statik, sepse dinamika e zhvillimit, veçanërisht në vende si Kosova, kushtëzohet nga rrethanat dhe nevojat konkrete të kohës. Shpesh, një moment i caktuar mund të shndërrohet në kthesë të rëndësishme historike. Kështu ndodhi edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në një periudhë të caktuar arriti të triumfojë, duke lënë pas partitë që kishin dominuar skenën politike që nga fillimet e pluralizmit. Kjo dëshmon se nganjëherë mjafton një ndryshim i vogël për të ndikuar në verdiktin e elektoratit. Pikërisht për këtë arsye zhvillohen fushatat zgjedhore, gjatë të cilave partitë politike shpalosin programet dhe vizionet e tyre për të fituar mbështetjen e qytetarëve.”

Më tej, publicisti foli edhe për premtimet dhe alternativat që ofrohen në këto zgjedhje, dhe me këtë rast kërkoi që elektorati të reflektojë me kujdes.

Madje, vlerësoi edhe interesimin e madh të qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Sa realiste janë premtimet dhe pretendimet e subjekteve politike këtë herë është ende vështirë të vlerësohet. Situata shtetërore e Kosovës mbetet e ndjeshme dhe sfiduese, madje në shumë aspekte më e brishtë se në periudhat e mëparshme. Prandaj alternativat që ofrohen duhet të shqyrtohen me seriozitet, me qëllim që krizat dhe vështirësitë aktuale të tejkalohen. Për këtë arsye, elektorati duhet të reflektojë me kujdes para se të marrë vendimin e tij.

Në këtë kontekst, është pozitive që tri partitë kryesore hyjnë në garë me synimin për të dalë fituese. Po ashtu, është inkurajues interesimi i madh i qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit. Kërkimi i fitores shprehet natyrshëm me zë të lartë gjatë fushatës, sepse synon të mobilizojë dhe sensibilizojë elektoratin.

Megjithatë, në fund, vendimi u takon qytetarëve. Këtë herë, elektorati ka përpara një përgjegjësi të madhe dhe një detyrë jo të lehtë”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Burjani: Kjo çështje është në dorën e qytetarit, pra në votën e tij

Ndërsa Blerim Burjani konsideron se të gjitha partitë kanë të drejtë të pretendojnë fitoren, pasi një gjë e tillë është legjitime.

Image
Blerim Burjani

Mirëpo, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se çështja kryesore është vullneti qytetar dhe vetëdija e votuesve.

“Pretendimet janë legjitime. Të gjitha partitë kanë të drejtë të lobojnë sa më shumë për vete dhe të ndihen si fituese.

Problemi kryesor mbetet mënyra dhe vetëdija qytetare: a dinë çfarë duan si votues, a dinë të ndëshkojnë jo punën dhe jo përgjegjësinë, a dinë t’i dallojnë si elektorat inatin prej zgjidhjeve apo përgatitjes më të mirë të partive për zgjidhje.

Duhet të ketë ndryshime të prekshme që prekin jetën e përditshme të qytetarit, por jo inatin dhe lojën e një beteje basti se kush po fiton e sa po fiton — sepse në fund, vetëm qytetari i rëndomtë humb.”

Krahas kësaj, Burjani shtoi se është në dorën e qytetarit “fituesi i zgjedhjeve”.

“Të dalësh si “fitues” duke qenë në fakt humbës, do të thotë që populli ka dështuar, jo partia.

Tash kjo çështje është në dorën e qytetarit, pra në votën e tij. Në fund, qytetari vendos”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Të Ngjashme