Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë paraditen e sotme fshatin Hekal, në Bashkinë Mallakastër.
Flakët u shfaqën rreth orës 09:00 dhe përfshinë një sipërfaqe prej disa hektarësh me ullinj dhe shkurre.
Sipas të dhënave paraprake, të raportuara nga gazetarja e RTSH, Laoreta Rroshi, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia gjatë djegies së barit të thatë për pastrimin e tokave bujqësore.
Megjithëse vatra e parë u shua nga zjarrfikësit e Ballshit, era e fortë riaktivizoi flakët në mesditë, duke vështirësuar operacionin e shuarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, të ndihmuara edhe nga repartet e Fierit.
Për shkak të afërsisë me territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, operacioni ka vijuar edhe me ndërhyrje nga ajri.
Pas disa orësh përpjekjesh, zjarri është vënë nën kontroll, por ekipet zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë zonën për çdo të papritur, pasi era e fortë mund të riaktivizojë flakët sidomos gjatë orëve të natës.
Policia e Mallakastrës ka nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit përgjegjës, nëse konfirmohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia njerëzore.
Ky rast shton shqetësimin për zjarret verore, rrezikun për zonat arkeologjike dhe menaxhimin e emergjencave civile.
/rtsh.al/
