Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri në Shqipëri, ndërsa 12 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe një tjetër është në monitorim.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim të Shqipërisë, për përballimin e situatës janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë gjithashtu 250 efektivë të Forcave të Armatosura, pesë helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Aktualisht, në terren vijojnë të jenë të angazhuar 167 efektivë të FA-së, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Operacionet për shuarjen dhe izolimin e vatrave aktive po vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës.
Ndërhyrjet po kryhen në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me fokus të veçantë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara.
Autoritetet kanë bërë të ditur se prioritet mbetet izolimi dhe shuarja sa më e shpejtë e vatrave aktive, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe rrezikimin e komuniteteve.
Nga raportimet e deritanishme rezulton se zjarret kanë përshkuar rreth 418 hektarë sipërfaqe, ndërsa janë dëmtuar edhe rreth 250 rrënjë ullinj.
