Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj etiketimit të veprimtarëve të kësaj partie dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova si UDB-ashë në një studio televizive.
Osmani ka thënë se një gjuhë e tillë përbën përpjekje për njollosjen e viktimave dhe përmbysjen e së vërtetës, duke theksuar se kërkimi i drejtësisë për vrasjet e pazbardhura nuk është përçarje
Ajo ka kritikuar ata që, sipas saj, vazhdojnë të ushqejnë urrejtjen dhe të justifikojnë krimet ndaj veprimtarëve të LDK-së.
Postimi i plotë në facebook:
Në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët e Kosovës detyrohen të dëgjojnë në studio televizive një tjetër ligësi: atdhetarët më të spikatur të këtij vendi, veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Rugova, të etiketohen si UDB-ashë.
Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur.
Kushdo që ende pyet se çfarë e ushqeu urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, le t’i dëgjojë këto zëra në studiot televizive. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, e njëjta gjuhë, të njëjtat etiketime dhe e njëjta përpjekje për ta përmbysur të vërtetën.
Të kërkosh drejtësi për të vrarët nuk është përçarje. Përçarje është të njollosësh viktimat, të arsyetosh krimet dhe të heshtësh përballë vrasjeve.
Zoti ju marroftë, o përçarës! As pas kaq shumë vitesh nuk u ngopët me urrejtje, me helmimin e opinionit publik dhe me justifikimin e tragjedisë së vëllavrasjes.
Nuk do ta ndryshoni dot të vërtetën duke njollosur viktimat. Dhe nuk do ta ndalni kërkimin e drejtësisë duke fyer të vrarët.
