Për Zonën e Karadakut, dosja përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, thotë se ndonëse struktura e saj organizative u zhvillua më vonë se në zonat e tjera, sulmet e UÇK-së ndodhnin duke përfshirë edhe ato kundër Policisë Serbe, për të cilat përgjegjësinë e mori Shtabi i Përgjithshëm.
Ndërsa, për organizimin e kësaj Zone, Prokuroria thotë se Shtabi i Përgjithshëm e caktoi Jakup Krasniqin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kështu sipas Prokurorisë, pas shpërthimit të luftës në Drenicë, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të Shtabit ishin takuar në Likoc me Ahmet Isufin i njohur si Rexha, Shemsi Sylën i njohur si Shala dhe Ilmi Ramadanin për të diskutuar për organizimin e kësaj zone.
Ahmet Isufi, sipas Prokurorisë, ishte emëruar komandant i kësaj zone me propozimin e Jakup Krasniqit. Ndërsa, thuhet se Shemsi Syla ishe zëvendës i tij.
Veç kësaj, thuhet se deri në prill të 1999-ës, Policia Ushtarake ishte krijuar në Zonën e Karadakut dhe mbante një linjë komunikimi me Shtabin e Përgjithshëm dhe më vonë në Ministrinë e Rendit Publik të Qeverisë së Përkohshme.
Fatmir Gjilani i cili mbiemrin e vërtetë thuhet se e kishte Mehmeti, sipas Prokurorisë, u bë komandant i Policisë Ushtarake në këtë zonë. Ai thuhet se kishte shërbyer zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake në Likoc dhe ishte përfshirë në ndalime në atë vend.
“Nga fundi i vitit 1998, baza e parë e operacioneve për Zonën e Karadakut ishte në Zllash, në Zonën e Llapit, dhe rreth dy kilometra larg bazës së njësisë BIA. Midis fundit të vitit 1998 dhe fillimit të vitit 1999, si Ahmet ISUFI ashtu edhe Shemsi SYLA qëndruan aty dhe u takuan me anëtarë të Brigadës 153 dhe njësisë BIA (përfshirë Salih MUSTAFA).Selia e Zonës mbeti në Zllash deri në një ofensivë serbe që filloi rreth 18 prill 1999”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në këtë zonë, sipas Prokurorisë, ishin tri brigada aktive: 171 e cila vepronte në Komunën e Vitisë duke përfshirë edhe Verbanin, Brigada 172 dhe Brigada 173.
Dosja thotë se në prill të 1999-ës, Bajram Kosumi i cili pretendohet se ka qenë ministër i informacionit në Qeverinë e Përkoshme e vizitoi rajonin e Karadakut dhe u takua me udhëheqësit e saj.
Shtabit të Përgjithshëm, udhëheqësit e kësaj zone thuhet se iu drejtoheshin për çështje të ndryshme organizative dhe logjistike.
Ndërsa, pas tërheqjes së forcave serbe rreth mesit të qershorit 1999, Prokuroria thotë se UÇK-ja hyri në Gjilan i cili u bë edhe selia e Zonës së Karadakut.
Gjatë kësaj periudhe, pretendohet se Ahmet Isufi dhe Shemsi Syla mbajtën kontakte me Shtabin e Përgjithshëm lidhur me lirimin dhe çarmatimin e serbëve. Thuhet se Shtabi i Përgjithshëm ishte në dijeni për ato se çfarë po ndodhnin në Gjilan. Ndërsa, pretendohet se UÇK-ja atje filloi të mbledhë armë si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët, dhe në këmbim lëshonte dëshmi pranimi në shabllone të shtypura me kokë UÇK dhe vulë të standardizuar të Zonës Operative të Karadakut.
Gjithashtu, thuhet se UÇK-ja filloi të kontrollonte lëvizjen e personave, duke lëshuar dokumente si leje daljeje dhe urdhra për thirrjen e personave që të paraqiteshin në Komandën e Zonës.
Më tej, thuhet se pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë, Zona e Karadakut vazhdoi të funksiononte nën drejtimin e Ahmet Isufit. Aty thuhet se KFOR-i pranoi ankesa për arrestime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së dhe ndërvepronte me disa figura kyçe të zonës, përfshirë Fatmir Mehmetin/Gjilanin si komandant i Policisë Ushtarake atje, Shaqir Shaqirin i cili ishte përgjegjës për sigurinë, Florim Kllokoqin i cili ishte udhëheqës batalioni në Novobërdë dhe Ismet Sylejmanin- i cili ishte oficer informacioni. Thuhet se të gjithë këta persona të lartpërmendur vepronin në zinxhirin komandues të Ahmet Isufit.
Prokuroria pretendon se gjatë verës së vitit 1999, Ahmet Isufi dhe komandantë të tjerë të UÇK-së zhvillonin takime javore me Agim Çekun dhe KFOR-in për procesin e demilitarizimit të UÇK-së. KFOR-i, sipas Prokurorisë, kërkonte vazhdimisht që pjesëtarët e UÇK-së të shmangnin veprimet provokuese dhe kërcënimet ndaj popullsisë.
Thuhet se komanda e zonës mori kontrollin e institucioneve komunale, shërbimeve publike dhe ndërmarrjeve utilitare, duke emëruar administratorë të përkohshëm. Këtyre administratorëve, pretendohet se iu ndalua të lidhnin marrëveshje me palën serbe, KFOR-in ose subjekte të tjera pa miratimin e zonës.
Sipas Prokurorisë, komanda e zonës pretendonte se Qeveria e Përkohshme e Kosovës kishte autoritet ekskluziv për regjistrimin e partive politike, ndërsa pjesëtarë të UÇK-së pengonin aktivitetet politike të grupeve të tjera përmes presioneve dhe frikësimit. Ndërsa, thuhet se vendimet komunale dhe dokumentet zyrtare bazoheshin në dekretet e nxjerra nga Hashim Thaçi si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.
Krahas tjerash, pretendohet se pjesëtarët e UÇK-së shpesh shkelën kushtet e demilitarizimit duke mbajtur uniforma dhe simbole të UÇK-së jashtë zonave të lejuara, duke ngritur pika të paligjshme grumbullimi dhe duke kryer arrestime pa autorizim. Thuhet se ata përdornin gjithashtu dokumente, automjete dhe shenja identifikuese që paraqiteshin si struktura të rendit publik të lëshuar nga Ministria e Rendit Publik nën drejtimin e Rexhep Selimit.
Krimet e ndodhura në Zonën e Karadakut, sipas Prokurorisë
Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se që nga mesi i qershorit të 1999-ës, pjesëtarë të UÇK-së në Zonën e Karadakut arrestuan, ndaluan, keqtrajtuan dhe në disa raste vranë persona të konsideruar si bashkëpunëtorë ose kundërshtarë.
Sipas Prokurorisë, këto ngjarje u raportuan në Vërban, Novobërdë dhe në konviktin e Gjilanit.
Ndërsa, në Malishevë thuhet se KFOR-i ndërhyri për të shpëtuar një fermer serb të ndaluar dhe të rrahur, pavarësisht kundërshtimeve të Fatmir Mehmeti/Gjilanit.
Kur KFOR-i dhe OSBE-ja kërkuan informacione nga Ahmet Isufi dhe drejtues të tjerë të UÇK-së për rrëmbimet dhe zhdukjet, sipas Prokurorisë, ata mohuan çdo dijeni dhe nuk ofruan ndihmë për zbardhjen e rasteve. Gjithashtu, pretendohet se nuk kishte prova që UÇK-ja kishte ndërmarrë masa disiplinore ndaj personave përgjegjës për këto veprime.
Thuhet se kur Isufi përballej me akuza për krime, shpesh i referohej dhunës së kryer nga forcat serbe ndaj shqiptarëve dhe shfaqte fotografi të mizorive të luftës për të ilustruar qëndrimin e tij.
Në anën tjetër, pretendohet se për shkak të raportimeve të vazhdueshme për rrëmbime dhe keqtrajtime, KFOR-i kreu bastisje në disa baza të UÇK-së në Gjilan, Kishnapolë, Kamenicë dhe Novobërdë. Gjatë këtyre operacioneve, pretendohet se u gjetën dokumente të shumta të UÇK-së, lista me persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe, si dhe një dhomë në konviktin e Gjilanit që një viktimë grua shqiptare e identifikoi si vend ku ishte keqtrajtuar.
Përfshirja e Hashim Thaçit në Zonën e Karadakut, sipas Prokurorisë
Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se në tetor të 1999-ës, Hashim Thaçi mbajti një fjalim në Gjilan për të përkujtuar çlirimin dhe për të njoftuar ristrukturimin e UÇK-së në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Në këtë aktivitet, pretendohet se mori pjesë edhe Ahmet Isufi, i cili njoftoi se ish-Zona e Karadakut do të përfshihej në një strukturë të re të udhëhequr nga Shukri Buja, komandant i Zonës së Nerodimes. Vetë Isufi, thuhet se mori detyrën e shefit të personelit në Prishtinë.
Duke u kthyer tek roli i Thaçit gjatë kësaj dite, thuhet se ai shprehu shqetësim për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe theksoi se ata kishin të drejtë të jetonin në trojet e tyre. Këtë fjalim të Thaçit, thuhet se përfaqësues të KFOR-it e konsideruan provokues dhe armiqësor.
Prokuroria pretendon se gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, e po ashtu edhe Wesley Clark e konsideruan këtë retorikë si të papërshtatshme dhe potencialisht nxitëse të tensioneve ndëretnike në periudhën pasluftës.
Përveç kësaj, thuhet se edhe pas transformimit të UÇK-së në TMK, dokumente të sekuestruara tregojnë se deri në tetor 1999 ish-pjesëtarët e UÇK-së në Zonën e Karadakut vazhdonin të koordinonin operacione të Policisë Ushtarake për identifikimin dhe arrestimin e personave të cilësuar si “bashkëpunëtorë serbë”, duke njoftuar strukturat përkatëse si me gojë ashtu edhe me shkrim.
“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
