Lajme

Zyra e BE-së: Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar nga procesi i zgjerimit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka theksuar se vendit i nevojitet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga mundësitë që sjell momentumi i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian, Plani i Rritjes dhe programet e asistencës IPA.

Deklarata është bërë pas takimit të Shefes në detyrë të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, me Drejtoreshën e Zgjerimit të BE-së dhe Fqinjësisë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.

Palatova e ka mirëpritur Superti në Prishtinë para takimeve të saj me përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile.

“Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka kënaqësinë të mirëpresë Drejtoreshën e Zgjerimit të BE-së dhe Fqinjësisë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, në Prishtinë këtë mbrëmje, përpara takimeve të saj me përfaqësuesit institucionalë dhe të shoqërisë civile nesër. Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, Plani i Rritjes dhe IPA”, thuhet në njoftim.

Të Ngjashme