Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, BE-ja thekson se një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Kosovë.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në vendimmarrje. Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
KGJK pritet që në mbledhjen që do ta mbajë nesër (të premten) diskutojë rreth tërheqjes së dorëheqjeve nga gjyqtarët nga komuniteti serb. Pika 9 e rëndit të ditës është paraparë të jetë diskutimi rreth njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Ata kishin dhënë dorëheqje në nëntor 2022.
